Lëkundjet ende trondisin jugun e Turqisë një muaj pas tërmeteve shkatërruese, megjithatë Havva Arslan, nënë e tre fëmijëve, më në fund ndihet e sigurt, por pa të ardhme, në kontenierë. Arslan, burri i saj dhe tre fëmijët e tyre mbijetuan për pesë ditë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës së tyre pesëkatëshe. Fakti që e gjithë familja doli e gjallë e bën të tyren një histori të rrallë mbijetese në qytetin e Nurdagi, ku shumica e ndërtesave u shembën.
“Shtëpia jonë ishte këtu. Ajo kishte pesë kate. Ne jetonim në katin e parë. Ne ramë në katin përdhes gjatë tërmetit. Ekipet na shpëtuan në ditën e 6. Kjo është gjendja të ndërtesës tani. Tanimë dua të qëndroj këtu ku jam. Do të doja që të mos ishim të ngujuar nën rrënoja, që të kisha mundur t’i ndihmoja të gjithë njerëzit në atë kohë”.
Kanë kaluar dy javë që kur familja Arslan doli nga spitali pas trajtimit ndërsa tanimë po përpiqen të ndërtojnë një jetë të re. Ata kanë krijuar tanimë rutinën e tyre të re.
“Ne ishim një familje e pasur. Ne kishim dy shtëpi dhe një makinë. I ishim falënderues Zotit për të gjitha këto. Dhe ne jemi mirënjohës tani, që të gjithë fëmijët e mi janë të sigurt. Nuk kam frikë tani që familja ime është pranë meje”.
Havva dhe bashkëshorti i saj, Hasani, humbën 36 të afërm të tyre në tërmet dhe pikëllimi është ende i freskët. Të dy prindërit janë të lumtur që tre fëmijët e tyre, njëri në klasën e 4-të dhe tjetri në të 8-tën dhe vajza tjetër mund të kthehen në shkollë.
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Sirinë fqinje ka arritur në mbi 51 mijë. Turqia tanimë përballet me detyrën e asgjësimit të qindra milionë tonëve rrënoja, disa prej tyre potencialisht të dëmshme. Ekziston frika se materialet e vjetra të ndërtimit mund të përmbajnë asbest, një element kancerogjen i ndaluar në shumë vende, duke përfshirë Turqinë.
Tërmeti dhe pasgoditjet e 6 shkurtit dëmtuan të paktën 156,000 ndërtesa. Programi i OKB-së për Zhvillim thotë se 116-210 milionë tonë rrënoja që rezultojnë janë ekuivalente me një sipërfaqe prej 100 km katror. Presidenti turk Taip Erdogan, i cili përballet me zgjedhjet që mund të mbahen më 14 maj, është zotuar të rindërtojë shtëpitë brenda një viti, megjithëse ekspertët paralajmëruan se siguria duhet të jetë përpara shpejtësisë për të rindërtuar.
Klan News