VMRO : Ministrat blejnë bukë prej 80 denarësh nga buxheti i shtetit
Pavarësisht vendimit të Qeverisë për ngrirje të çmimit të bukës dhe zbatimit të të njëjtës nga ana e industrisë se bukëpjekësve të cilët gjatë ditës së djeshme rifilluan me prodhimin dhe shitjen e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, që në shitoret e vendit u shiteshin me çmimin e caktuar tavan nga Qeveria prej 33 denarëve, për opozitën çmimet nuk janë reale. Sipas partisë opozitare VMRO-DPMNE, Kovaçevski ka sjellë një masë që as qeveria e tij nuk e respekton, duke u paraqitur si shpëtimtar, në një situatë ku, siç thonë nga opozitarja VMRO, ka lejuar që gjithçka të shtrenjtohet.
“Kovaçevski në Qeveri e blen bukën 30 deri në 100% më shtrenjtë se çmimi që ai vetë e parasheh, gjegjësisht për 450 gram bukë të bardhë paguan 41,4 denarë, kurse për bukë të bardhë me afat të zgjatur paguan pak më pak se 80 denarë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Akuzat e VMRO-së i hedh poshtë drejtori i Inspektoriatit të tregut, Goran Trajkovski, i cili në rrjetin social facebook ka njoftuar se ka bukë të mjaftueshme dhe shitet me çmim prej 33 denarëve.
“Gjobat janë të larta dhe shkojnë nga 800 deri në 10.000 euro, andaj apeloj që të respektohet vendimi, dhe ne si institucion jemi ende në terren për të monituroruar situatën dhe për të vepruar në rast të shkeljeve të mundshme të dispozitave ligjore. Qytetarët nuk duhet të vuajn për interesa personale të të tjerëve”. thotë Goran Trajkovski, drejtor i Inspektoratit të Tregut.
Nga ana tjetër, siç njofton KlanM, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se, po bëhen analiza për ngrirje të çmimeve edhe për produkte të tjera bazë. Sipas paralajmërimeve, pritet ulje e çmimeve të pastave dhe produkteve qumështore. Por, për këtë do të sjellët vendim deri në fund të javës së ardhshme./KlanMacedonia