Bashkëpunimin dypalësh mes Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë dhe mundësia e thellimit të tij edhe në të ardhmen, ishte temë e bisedës së takimit të sotëm të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me ministrin e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë, Davor Filipoviq, në kuadër të Takimit Ministror të Partneritetit për Energji Transatlantike dhe Ndryshimet Klimatike (P-TECC), që mbahet në Zagreb.
Në takim, siç informuan nga Ministria e Ekonomisë, morën pjesë edhe drejtorët e përgjithshëm të SHA EMV, Vasko Kovaçevski dhe i “NOMA Gas”, Bajram Rexhepi.
Temë e bisedës ishin edhe masat e ndërrmara nga të dyja vendet në përballjen me krizën energjetike dhe të çmimeve me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian, si dhe investimet në burimet e rinovueshme të energjisë.
Bekteshi potencoi se në procesin e transformimit të sistemit energjetik në Maqedoninë e Veriut, që po ndodh aktualisht, si vend mund t’i shfrytëzojmë përvojat e Kroacisë në fushën e ruajtjes së energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, Ligji për infrastrukturën e energjisë së gjelbër si dhe përvojat që kanë në themelimin e Fondit për efikasitet të energjisë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ministri i Ekonomisë theksoi se në procesin e reformave në Maqedoninë e Veriut shpesh janë marrë parasysh shembujt pozitivë dhe reformat në Kroaci, të cilat kanë rezultuar të suksesshme dhe janë krijuar shumë bashkëpunime me Kroacinë.