Tokat toksike të Ukrainës

Shkencëtarët vlerësojnë se bombardimet kanë degraduar tokat bujqësore

Shkencëtarët kanë ngritur alarmin se tokat bujqësore në Ukrainë tanimë janë toksike. Mostrat e marra në disa rajone si Kherson dhe Kharkiv kanë treguar përmbajtje të larta të arsenikut dhe mërkurit duke vënë në rrezik ushqimin për të ardhmen.

Në Kherson 11 ndërtesat që përdoreshin për ruajtjen e të korrave dhe makinerive janë bombarduar dhe djegur. Shumë ferma janë shkatarërruar plotësisht dhe dëmet janë prezente edhe pas një viti lufte që mund të jetë më i vështiri për t’u rikuperuar.

 Duke përdorur mostrat dhe imazhet satelitore, shkencëtarët në Institutin e Ukrainës për Shkencën e Tokës dhe Kërkimin e Agrokimisë vlerësuan se lufta ka degraduar të paktën 10.5 milionë hektarë tokë bujqësore në të gjithë Ukrainën deri më tani, sipas hulumtimit . Kjo është një e katërta e tokës bujqësore, duke përfshirë territorin e pushtuar ende nga forcat ruse, në një vend të përshkruar si shporta e bukës së Evropës.

“Për rajonin tonë, është një problem shumë i madh. Këtë tokë të mirë, ne nuk mund ta riprodhojmë,” shprehet një fermer nga Bilozerka në juglindje të Ukrainës. Kompanitë e drithrave, analistë të shumtë dhe ekspertë deklarojnë se do të duhen dekada për të rregulluar dëmin në shportën e bukës së Evropës  duke përfshirë kontaminimin, minierat dhe infrastrukturën e shkatërruar  dhe se furnizimet globale ushqimore mund të jenë të pakta për vite me rradhë.

Para luftës, Ukraina ishte eksportuesi i katërt më i madh në botë i misrit dhe një furnizues kryesor për vendet e varfra në Afrikë dhe Lindjen e Mesme që varen nga importet e grurit. Pas pushtimit të Rusisë një vit më parë, çmimet globale të grurit u rritën pasi portet e Detit të Zi që zakonisht dërgojnë të korrat e Ukrainës u mbyllën, duke përkeqësuar normat e inflacionit në mbarë botën.

Dëmi i luftës mund të zvogëlojë të korrat e mundshme të grurit të Ukrainës me 10 deri në 20 milionë tonë në vit, ose deri në një të tretën bazuar në prodhimin e saj të paraluftës prej 60 deri në 89 milionë tonë, tha për Reuters drejtori i Institutit të Tokës, Sviatoslav Baliuk. Përveç dëmtimit të tokës, fermerët ukrainas po përballen me predha të pashpërthyera në shumë fusha, si dhe me shkatërrimin e kanaleve vaditëse,dhe kapanoneve të të korrave.

Andriy Vadaturskyi, shefi ekzekutiv i Nibulon, një prej prodhuesve më të mëdhenj të grurit në Ukrainë, pret që vetëm çminimi të zgjasë 30 vjet dhe tha se nevojitej ndihmë urgjente financiare për të mbajtur fermerët ukrainas në biznes. Rritja e toksicitetit dhe zvogëlimi i diversitetit të mikroorganizmave kanë reduktuar tashmë energjinë që farat e misrit mund të gjenerojnë për të mbirë me rreth 26%, duke rezultuar në rendimente më të ulëta. Një grup pune shkencëtarësh të tokës i krijuar nga qeveria ukrainase vlerëson se do të kushtonte 15 miliardë dollarë për të hequr të gjitha minierat dhe për të rivendosur tokën e Ukrainës në gjendjen e saj të mëparshme.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share