Aksidenti në Greqi, Ministria e Jashtme e Shqipërisë: 5 shqiptarë të plagosur, nuk kemi informacione për viktima

Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur si pasojë e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se këta persona janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në kushte spitalore.

“5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore. Po vijohet me identifikimin e tyre”, tha Ministria e Jashtme.

Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet vendase deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave.

38 persona humbën jetën si pasojë e aksidentit të së martës që ndodhi në Tempi, pranë Larisës. Dy trena, një i mbushur me pasagjerë dhe tjetri me mallra, u përplasën duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë, më e madhja në Greqi sa i përket transportit hekurudhor.

Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur mbi 85 persona. Në momentin e aksidentit në trenin me pasagjerë udhëtonin rreth 350 persona./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share