“Kur u themelua BDI nuk kishte internet, as facebook, as tiktok” – Musa Xhaferi: Çoni mesazh atij “çunit të lagjes” se i ka bërë hesapet gabim

Njëri nga krerët e “Grupit të zjarrit”, Musa Xhaferi nga tubimi i mbajtur sonte në Çair dërgoi disa mesazhe për bashkëpartiakët e tij në BDI. Ashtu si në takimet tjera, kundërshtimet më të mëdha, Xhaferi i ka pasur ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi, të cilin e quajti “çun lagjeje”. Xhaferi përmendi ndaljen e rrymës dhe internetit në sallën ku po zhvillohet takimi, duke e cilësuar si pengesë nga kundërshtarët, përcjell KlanM.

“Mos merren as me rrymën as internetin se nuk mund të na ndalin. Kur është themeluar BDI nuk ka pasur as internet, as facebook, as tiktok, as selfie etj…ai çuni juaj i lagjes, si e ka emrin e dini ju, i ka bërë hesapet gabim”, deklaroi Xhaferi.

Ai shtoi se Grubi ka keqpërdorur logon e BE-së për të promovuar biznesin e kazinove.

“Le ta mbajë kancellarinë edhe pak, por ai nuk mund të kthehet këtu. Nuk ka ku të shkojë… Lojërat e fatit sjellin fatkeqësi për të gjithë qytetarët…”, tha Xhaferi.

Xhaferi përmendi edhe rastin me gjetjen e pllakës me mbishkrimin Dardanus në zonën e Skupit.

“Edhe varret nuk mund t’i durojnë padrejtësitë historike”, u shpreh Musa Xhaferi. /KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share