Ambasadori amerikan në Serbi, Hill: Nuk ka iluzione se mund të ketë rezultate të shpejta në dialog

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të hënën se takimi në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç tregon se Bashkimi Evropian po tenton të gjejë një zgjidhje që u përshtatet të dyja palëve në të ardhmen.

Ai u ka thënë gazetarëve në Kragujevc se nuk ka iluzione që mund të ketë rezultate të shpejta.

“Procesi i Brukselit nuk mund t’i gëzojë ata që presin rezultat të kënaqshëm menjëherë”, ka thënë Hill.

Ai e ka konfirmuar që i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jetë pjesë e dialogut që zhvillohet në pasditen e së hënës në Bruksel.

Dua ta theksoj se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar ngushtë në këtë çështje dhe jemi shumë të përkushtuar në këtë temë”, ka thënë mes tjerash Hill.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share