Profili privat i kryetares së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska në “Fejsbuk” është keqpërdorur, njoftoi sot KSHPK-ja.
“Persona të caktuar për qëllime të njohura për ta, keqpërdorin fotografi familjare të Ivanovskës dhe me fotomontazh mundohen të krijojnë imazh të rremë në publik. Kundër tyre, Ivanovska do të inicojë procedurë private, duke pasur parasysh se është profil privat”, thuhet në njoftimin e KSHPK-së.
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave njoftoi se do të vazhdojë të punojë në përputhje me kompetencat e tij dhe të veprojë sipas të njëjtit parim në të gjitha rastet.
KPSHK-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara në shoqëri që të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit dhe përplasjes së interesave, sepse, siç theksojnë ata, vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të ketë rezultate.
“Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), në përputhje me kompetencat e tij, për të gjitha rastet vepron me të njëjtën qasje. Ekspertiza e përgjithshme dhe kapacitetet në dispozicion janë orientuar drejt verifikimit të fakteve dhe dhënien e rekomandimeve të duhura për veprime të mëtejshme për të gjitha rastet, për të cilat Komisioni ka punuar gjatë këtij mandati. Të gjitha lëndët që janë formuar nga Komisioni deri tani, janë përpunuar sipas rregullores ekzistuese. Sa herë që ka pasur bazë ligjore për rekomandim për përpunimin e mëtejmë të një rasti të caktuar, Komisioni ia ka përcjellë institucionit kompetent, i cili duhet të veprojë sipas kompetencave të tij”, thuhet në njoftim.
Në pajtim me natyrën e veprimit, Komisioni vepron në rastet në fushën e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, fusha që kanë të bëjnë me funksione të larta publike.
“Kjo shpesh është edhe shkaku i ndërmarrjes së veprimeve publike për defokusimin e opinionit nga disa lëndë apo tema të hapura, për të shtrembëruar pamjen reale dhe për të dëmtuar integritetin dhe besueshmërinë e anëtarëve të caktuar të Komisionit”, njoftojnë nga KSHPK-ja.