Vijojnë të mbeten të larta tensionet në Lindjen e Mesme. Disa raketa u hodhën para agimit nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit, i cili u përgjigj menjëherë duke ngritur në ajër avionët luftarakë.
Ministria e Mbrojtjes në Izrael informon se gjatë sulmeve u goditën një vend prodhimi armësh, një kompleks ushtarak që i përket organizatës terroriste Hamas, një klinike mjekësore, një hotel, një stacion policie dhe një shkollë, në pjesën qendrore dhe veriore të Gazës.
Sipas televizionit pan-arab “Al Arabiya”, avionët izraelitë goditën gjithashtu një vend që i përket brigadave Al Qassam, krahut ushtarak të Hamasit, pranë kampit të refugjatëve Al Shati, në veri-perëndim të qytetit të Gazës.
Ndërkohë sulmet me raketa nga militantët palestinezë nuk shkaktuan viktima në Izrael pasi sistemi i mbrojtjes raketore Iron Dome goditi pesë raketa, ndërsa një tjetër u rrëzua në një zonë të pabanuar.
Megjithatë, sirenat e alarmit u aktivizuan në Ashkelon, Sderot dhe qytete të tjera në afërsi të Rripit të Gazës rreth orës 4:00 të mëngjesit.