Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Berisha është shprehur se protesta kombëtare e thirrur në datën 3 Mars do të jetë një ditë e jashtëzakonshme.
Për atë ditë, kryetari i PD-së ka thënë se shqiptarët do të shprehin shpirtin e protestës.
Ndër të tjeraa, Berisha ka shtuar se protestat do të mbahen kudo, edhe para Parlamentit.
Sali Berisha: Edi Rama nuk shpëton dhe nuk do të shpëtojë. Shqiptarëve u janë vendosur gjoba shumëmilionëshe. Ai mori peng një njeri, apo dy njerëz, por nuk mori peng asnjërin prej jush, asnjërin prej qindra e mijërave anëtarë, simpatizantë të PD-së. Ndaj dhe ne do të ecim të vendosur në këtë revolucion për të përmbysur këtë regjim.
Në këtë kontekst, 3 Marsi është një ditë e jashtëzakonshme, një ditë në të cilën demokratët e demokratet, qytetarët e Tiranës para së gjithash dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë do të shprehin revoltën, do të shprehin shpirtin e protestës. Ndaj kujt? Ndaj Edi Ramës, ndaj këtij armiku të egër të pluralizmit, të shtetit ligjor, të qenies shqiptare. Rëndësi të jashtëzakonshme ka që nga dita e nesërme të shpërndajë në çdo bllok, në çdo lagje, në çdo degë, në çdo seksion, për një protestë të paparë ndonjëherë. Protesta do të bëhen dhe vazhdojnë para parlamentit. Protestat do të mbahen kudo, por asgjë nuk do të na pengojë ne për tu krijuar mbështetjen më të madhe, më të paprecedentë ndonjëherë, kandidatëve tanë.
Kjo nuk mund të ketë asnjë ekuivok. Besimi është shumë i madh tek ju. Besimi im është shumë i madh tek anëtarët, simpatizantë dhe mbështetësit tanë. Ju siguroj se fuqia e gjithsecilit prej jush, sot është më e madhe se kurrë në ekzistencën tuaj. Sot formimi juaj politik, vizioni juaj politik është më i kthjellët si asnjëherë më parë. Ndaj ta vazhdojmë këtë betejë, të sigurtë në fitoren tonë, fitoren e merituar, fitoren e shqiptarëve./tvklan.al