Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka takuar ambasadoren e re të Japonisë në vendin tonë, Kazuya Ocuka.
Në takim është vlerësuar se ka një trend të avancimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet vendeve dhe u shpreh vendosmëria për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Në të njëjtën kohë, u diskutua edhe për mundësitë për prezantimin e potencialit ekonomik për investime në Maqedoninë e Veriut para investitorëve japonezë.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi për miqësinë e madhe të kahmotshme dhe të sinqertë me Japoninë, e cila manifestohet me mbështetjen e vazhdueshme japoneze, në vlerë të përgjithshme prej mbi 430 milionë dollarë amerikanë, duke e bërë Japoninë ndër donatorët më të mëdhenj bilateral në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën kohë, kryeministri theksoi rëndësinë e nismës japoneze për bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, e cila kontribuon më tej në thellimin e përgjithshëm të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve.
“Ne duam të zhvillohemi si shtet dhe në këtë drejtim rëndësi të madhe kanë marrëdhëniet me vendet e zhvilluara si Japonia. Ne jemi duke u zhvilluar me sukses si shtet multietnik. Ne zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore përmes politikave të dialogut. Nëpërmjet nismës Ballkani i Hapur, ne kemi krijuar një mundësi për procedura të thjeshtuara në pjesën e tregut të punës, e cila, si rajon dhe treg më i madh, hap një mundësi për rritjen e interesit të investitorëve të huaj. Dhe në Mynih, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e sigurisë, morëm konfirmimin se Bashkimi Evropian e sheh Maqedoninë e Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Rruga evropiane e vendit tonë është një proces i pakthyeshëm”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Në takim u përcoll mbështetje nga Japonia për avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, si çështje me rëndësi për zhvillimin e vendit tonë dhe me rëndësi për stabilitetin e rajonit dhe Evropës.
Gjithashtu është përshëndetur qëndrimi i qartë i Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetjen e Ukrainës, si reflektim i respektit për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Gjithashtu u shpreh gatishmëria për të shkëmbyer përvojat japoneze në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë ndaj tërmeteve, e cila po rezulton të jetë një çështje aktuale me situatën në Turqi dhe Siri.
Në bisedë u theksua se sivjet më 26 korrik do të shënohet 60 vjetori i tërmetit katastrofal në Shkup, ndërsa më 4 shtator 110 vjetori i lindjes së arkitektit të shquar japonez Kenzo Tange, i cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e Shkupit, si vulë e përhershme në zhvillimin modern të kryeqytetit, dhe në atë drejtim është shprehur interesimi i përbashkët për përkujtimin e dy jubilenjve.