Për 16 javë rresht ‘Zemër Luana’ në Tv Klan ka qenë spektakli më i ndjekur i argëtimit në Shqipëri.
Me shifra rekord audience televizive dhe në platformat online si YouTube, TikTok, Instagram ku për 16 episode kanë kryesuar listat ‘trending’ kudo në botë ku ka shqiptarë e flitet shqip.
Miliona shikues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Italia, Zvicër, Greqi e në shumë shtete të tjera ‘Zemër Luana’ arriti të jetë në vendin e parë si emisioni më i ndjekur i momentit.
Më shumë se 27 milionë shikime në vetëm 15 puntata të spektaklit ‘Zemër Luana’ në platformën YouTube.
Kjo ishte hera e fundit që u rrotullua rrota e programit, për të caktuar edhe fatin se cila skuadër do të ishte fituese e sezonit të parë. Por mbrëmjen e kësaj të diele fitues u shpallën ‘luanët e kuq’ me kapiten Bes Kallakun, duke barazuar rezultatin final 8 – 8 duke e lënë të hapur sfidën për sezonin e ri të programit.
Siç e do tradita në një finale nuk mund të mungonte nisma e ‘Zemër Luana’ as në këtë episod ku jo një por disa familje do të lumturohen. Këtë mbrëmje të fundit janë përzgjedhur 6 fëmijë nga familje të ndryshme, të cilët do të festojnë ditëlindjen me tortë dhe ushqime cateringu nga Lebon.
E gjithashtu, familjes Bako do t’i vijë në ndihmë Ismet Shehu nga Ceren, pas operimit të vogëlushit të tyre me probleme në zemër.
Autorja dhe moderatorja bëri një falenderim për gjithë bashkëpunëtorët në këtë sezon të parë të ‘Zemër Luana’ në Tv Klan ku tha se “ja dolëm pavarësisht gjithë skepticizmit se ky program nuk do të funksiononte në një logo tjetër”.
Luana Vjollca: Ja dolëm me gjithë skepticizmin që Ky program nuk do funksiononte në asnjë logo tjetër, faleminderit Tv Klan për gjithë mbështetjen, një sezon të mrekullueshëm, faleminderit që më bëtë të ndihem si në shtëpinë time. Faleminderit padiskutim çdo njeri që ka punuar për këtë produksion, stafi im që ka punuar ditë e natë me mua palodhur, operatorët, regjia, teknika, baleti, orkestra. Një duartrokitje nga ju për ju, publiku i zemrës.
/tvklan.al