Qeveria italiane i ka kërkuar Brazilit që ta burgosë me 9 vite, lojtari përdhunoi një shqiptare
Italia nuk heq dorë nga çështja Robinho, me brazilianin që u shpall fajtor nga Gjykata e Milanos për përdhunimin e një vajze shqiptare.
Qeveria italiane i ka kërkuar Brazilit që të zbatojë dënimin me nëntë vite burg ndaj ish-futbollistit të Milanit. Sajti brazilian “Uol”, raportoi se autoritetet braziliane kanë marrë zyrtarisht kërkesën e Ministrit Italian të Drejtësisë, Carlo Nordio, të firmosur më 24 Janar dhe të dorëzuar në qeverinë braziliane në rrugë diplomatike pas shtatë ditësh.
Autoritetet italiane kërkojnë gjithashtu që të zbatohet dënimi ndaj Ricardo Falco, mikut të ish-sulmuesit të Milanit. Të dy u shpallën fajtorë në Itali për përdhunimin e një vajze shqiptare në Milano më 22 Janar 2013.
Nordio kërkon “që çështja të merret në dorëzim nga autoritetet gjyqësore kompetente braziliane, e në përputhje me ligjin brazilian, ekzekutimin e dënimit me nëntë vjet burg të vendosur nga Gjykata e Milanos më 23 Nëntorit 2017.
Ministria italiane e Drejtësisë i kërkoi Brazilit që të ekstradonte Robinhon dhe Falcon në Shtator të vitit 2022, por që u refuzua Nëntorin e kaluar, pasi neni 5 i Kushtetutës braziliane ndalon ekstradimin e shtetasve të vet.
Por në bazë të akordit mes të dyja shteteve, të dënuarit brazilianë në Itali do të vuajnë dënimet në institucionet penitenciare në vendin e tyre.
Klan News