KOVAÇEVSKI: VENDIMI ËSHTË NË FAVOR TË SHTETIT
Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg e hodhi poshtë si të papranueshme, ankesën e ish funksionarëve, Vladimir Talevski, Nikola Gruevski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Toni Jakimovski, Sasho Mijallkov, Toni Trajkovski dhe Edmond Temelko, në lidhje me abolimin e anuluar të ish-presidentit Gjorge Ivanov. Gjykata vlerësoi se, të dënuarit dhe të akuzuarit në rastet e PSP-së, nuk kanë shterur të gjitha mjetet juridike vendore dhe se vendimi është final. Kjo nënkupton se, procedurat për lëndët e ish PSP-së vazhdojnë. Në ankesën e parashtruar, kërkuesit pretendojnë se, abolimi është ende në fuqi dhe se ndjekja e tyre penale, pas abolimit, është shkelje e sundimit të së drejtës, si dhe tërheqja e abolimit, sipas tyre, është kundër sigurisë juridike.
“Gjykata vendosi se, kërkuesit nuk kanë shterur mjetet juridike vendore. Ajo vendosi se, ankesat janë të parakohshme, sepse autoritetet vendore do të kenë mundësi fillimisht t’i trajtojnë ato në procedurën penale që është në rrjedhë” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
Vendimi i gjykatës evropiane është përshëndetur nga autoritetet në vend. Presidenti, Stevo Pendarovski në reagimin e tij, ka thënë se, sipas këtij vendimi, vazhdojnë të gjitha procedurat para gjykatave vendore, deri në përfundimin e tyre final.
“Pas publikimit të vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, presidenti e shqyrtoi atë me ekipin këshillues dhe vlerëson se të gjitha ata që janë përfshirë me procedimet e ngritura nga ana e prokurorisë dhe gjykatave në vend, duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre para institucioneve vendore, siç është theksuar edhe në vendimin e Gjykatës së Strasburgut” – thonë nga presidenca e RMV-së.
Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se vendimi është në favor të shtetit dhe se, ndryshe nga pretendimet e kërkuesve, Gjykata e Strasburgut nuk konstaton shkelje të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
“Me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, i cili në këtë rast është në favor të shtetit, ankesat e aplikantëve u shpallën të papranueshme në tërësi, përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara. Argumentet e Qeverisë për papranueshmërinë e aplikimeve janë respektuar plotësisht nga Gjykata e Strasburgut”– deklaroi Kovaçevski.
Kujtojmë se, ish presidenti, Gjorgje Ivanov në vitin 2016, miratoi një vendim për faljen e 54 personave, të akuzuar dhe dënuar në lëndët e PSP-së, për krime që dalin nga përgjimet e paligjshme. Kjo solli reagime të ashpra nga opinioni vendor dhe faktori ndërkombëtar. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, Ivanovi i tërhoqi abolime. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi