Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka mbërritur në ndërtesën e Presidencës, ku do të mbahet një takim i jashtëzakonshëm me të gjithë njerëzit kryesorë të sektorit të sigurisë, raportojnë mediat e Beogradit, përcjell Klan Macedonia.
Sipas informacioneve të “Novosti”, në takim do të diskutohet për situatën e sigurisë në vend, pas mesazheve të rrezikshme të paraqitura në tubimin e sotëm nga ana e ekstremistëve në Beograd.
Gjithashtu pritet të rishikohet edhe roli i disa strukturave të huaja të inteligjencës.
Pjesëmarrësit e protestës, e cila filloi në orën 18:00, nuk kanë dorëzuar kërkesat e tyre për Presidencën e që kanë të bëjnë me tërheqjen e Vuçiqit nga negociatat me Prishtinën, publikimin e propozimit franko-gjerman dhe refuzimin e tij. Ata janë në pritje të adresimit të një drejtimi publik të presidentit të vendit.
Forca të shumta policore sigurojnë ndërtesën e Presidencës dhe janë gjithashtu të pranishme në lokacione të tjera në qendër të Beogradit, njoftoi Beta./KlanMacedonia