Avokati i njohur nga Struga, Ardian Demiri para disa viteve parashikoi se mund të ndodhë një skenar i tillë, ku të gjykuarit dhe dënuarit nga rastet e ndjekura prej Prokurorisë Speciale, të kërkojnë drejtësi në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strazburg.
“Atëkohë publikisht deklarova se asnjëri nga këta persona, të cilët PSP-ja e atëhershme i ndiqte për vepra penale sipas ligjit për PSP-në, nuk ka as për të bërë burg, por as për t’u gjykuar”, ka deklaruar Demiri.
I ftuar në edicionin e lajmeve në Klan Macedonia, Ardian Demiri sqaron se me shumë mundësi Gjykata e Strazburgut do t’ua miratojë aplikimet të gjithë të aboluarve nga ish presidenti Ivanov, për shkak se, siç sqaron avokati, presidenti nuk ka pasur kompetenca që ta tërheqë abolimin.
“Zoti Ivanov, në momentin që e dha abolimin për këta 56 persona, nuk kishte më tagrin e as kompetencën që t’i tërheqë pas një jave sepse është logjike se një e drejtë e fituar paraprakisht, nuk mund të abrogohet më tutje”, sqaroi Ardian Demiri.
Po a do të mund të fitojnë lirinë nga kjo gjykatë, të dënuarit si Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov e të tjerët?
Sipas avokatit Ardian Demiri, GJDN në Strazburg do t’i miratojë aplikimet e të akuzuarve dhe të njëjtët të fitojnë lirinë. Me këtë sipas tij, shteti dhe qytetarët do të paguajnë dëmshpërblim për ta, përcjell Klan Macedonia
“Mendimi im është që nesër, Gjykata e Strazburgut do t’i miratojë aplikimet e këtyre të dyshuarve apo të akuzuarve në Maqedoni dhe me këtë, fatkeqësisht, e gjitha ajo famë e themelimit të PSP-së dhe gjithë atyre procedurave, do të bjerë poshtë dhe për fatin tonë të keq, të gjithë neve, këtyre personave që gjykohen apo që janë nëpër burgje, ne si qytetarë, i gjithë shteti do të duhet t’u paguajë dëmshpërblime përkatëse për arsye të vuajtjes së dënimit”, deklaroi avokati Demiri.
Dëmi sipas Demirit, tanimë është bërë dhe priten vetëm pasojat.
“Këta persona, 56 të numëruar taksativisht në vendimin për abolim në listën e Ivanovit, për këta nuk duhej të ketë gjykim. Është çështje tjetër se si merret shteti me z.Ivanov. A ka keqpërdorim të detyrës apo jo? Në rastin konkret ajo është çështje politike dhe juridike për më tutje, por në rastin konkret, për këta 56 persona Gjykata e Strazburgut në seancën e nesërme do t’i miratojë aplikimet”, përfundoi sqarimin , Ardian Demiri, avokat i njohur nga Struga.