Një javë pas tërmetit zbehen shpresat për të mbijetuar

Shefi i Ndihmes i OKB-së: Bota deri me tani ka deshtuar në Sirine Veriperendimore

Një javë pasi tëmetet vdekjeprurëse goditën Turqinë dhe Sirinë shpresat për të mbijetuar zbehen edhe më shumë. Shqetësimet rriten kundrejt autoriteteve për mos reagimin e shpejt. Martin Griffith, shefi i ndihmës i OKB-së, ka thënë se bota deri më tani ka dështuar me njerëzit në Sirinë veriperëndimore.

Ekipet e shpëtimit nxorrën të gjallë një grua nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi pas më shumë se 140 orësh, ndërsa kërkimi vijon me shpresën për të gjetur të tjerë të mbijetuar.

Reuters raporton se Sibel Kaya, 40 vjeç, u shpëtua në provincën jugore të Gaziantep, pasi tërmetet e mëdha goditën rajonin. Punonjësit e shpëtimit në Kahramanmaras gjithashtu janë në garë më kohën për të gjetur nën rrënojat e këtij qyteti një nënë, vajzën dhe foshnjen e saj.

Ekipet e shpëtimit nga Rusia, Kirgistani dhe Bjellorusia nxorrën të gjallë gjithashtu edhe një burrë nga një ndërtesë e shembur në Turqi, rreth 160 orë. Në një lagje qendrore të një prej qyteteve më të goditura, Antakia në Turqinë jugore, pronarët e bizneseve boshatisën dyqanet e tyre për të parandaluar vjedhjen e mallrave nga grabitësit.

Me shanset për të gjetur më shumë të mbijetuar duke u bërë më të largëta, numri në të dy vendet nga tërmeti dhe pasgoditjet e mëdha të së hënës është rritur në mënyrë të frikshme. Mes njerëzve rritet gjithashtu edhe zemërimi kundrejt shtetit turk për mos reagimin e shpejt.

“Mirë apo keq, gjithçka që kishim ishte këtu. Edhe fëmijët e mi tani po qajnë. Ata thonë: Mami, gjithçka ka ikur, fëmijëria jonë ka ikur, kujtimet tona janë zhdukur të gjithë”, thotë një i mbijetuar.

“Dyqani im, vendi im i punës, gjithçka u shkatërrua, shtëpia ime u shkatërrua. Unë kisha një magazinë dhe më ka ikur, tani nuk kam asgjë. Gjithçka është zhdukur dhe kemi mbetur në rrugë”, thotë i mbijetuari.

“Nuk ishte si asnjë tërmet tjetër. Rrugët u shkatërruan, shtëpitë tona u rrënuan, nuk ka mbetur asnjë ndërtesë, qytete të tëra u rrafshuan. Gjithçka u zhduk. Ne mund të ushqehemi këtu, por askush nuk e di se si do të jetojmë. Jetojmë në acar”, thotë një i mbijetuar.

Nga ana tjetër Kombet e Bashkuara thonë se deri në 5.3 milionë njerëz në Siri mund të jenë të pastrehë pas tërmeteve. Gati 900,000 njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim dhe ngrohje në Turqi dhe Siri.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të autorizojë dërgimin e furnizimeve në territorin e kontrolluar nga rebelët përmes më shumë pikave kufitare nga Turqia. Shumë të mbijetuar duhet të përdorin parqet dhe vende të tjera publike si vende të përkohshme zhvendosjeje në Aleppo, një nga qytetet më të goditura në Siri, për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm të strehimoreve emergjente që i ofroi qeveria pas tërmeteve shkatërruese.

“Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë sirianët. Aktiviteti ekonomik është në stanjacion. Shtëpitë janë dëmtuar. Këta njerëz në park nuk kanë shtëpi dhe punë. Ne ishim në një situatë shumë më të keqe më parë. Tani kanë ardhur disa mjete ndihmash por ende nuk ka strehimore”

Martin Griffith, shefi i ndihmës i OKB-së, ka thënë se bota deri më tani ka dështuar me renjerëzit në Sirinë veriperëndimore, duke thënë se të mbijetuarit atje me të drejtë ndihen të braktisur. Mes shqetësimeve për higjienën dhe përhapjen e infeksioneve në të dyja vendet janë dërguar edhe vaksina kundër tërbimit dhe tetanozit.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share