44-vjeçarja u bë e njohur ndërkombëtarisht në Mars 2022 duke dalë para kamerave me një pankartë ku shkruhej “Stop luftën”
Marina Ovsyannikova, ish-redaktorja e televizionit shtetëror rus, e cila ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë të lajmeve për të protestuar kundër fillimit të luftës në Ukrainë, ka përshkruar arratisjen e saj nga arresti shtëpiak në Moskë dhe se si ajo iku nëpër Evropë për të kërkuar azil në Francë.
“E dini, në momentin që filloi lufta, pata tronditjen më të fortë emocionale. Doja të vrapoja me të gjitha pankartat që ekzistonin në qendër të Moskës dhe të bërtisja për të sa më shumë që të mundja. Në ditën e parë të luftës, vendosa që të largohesha nga redaksia. Të gjitha kanalet e informacionit të opozitës tashmë ishin shkatërruar në atë pike dhe kishte një flluskë gjigante propagandistike. Natyrisht, kam shumë frikë për jetën time, pasi miqtë që më thërrasin vazhdojnë të bëjnë shaka: Çfarë preferoni – Novichok, polonium apo një aksident me makinë?”
Ovsyannikova, e cila ka lindur në Ukrainë, u bë e njohur ndërkombëtarisht në Mars 2022 duke dalë para kamerave të studios gjatë një transmetimi lajmesh në mbrëmje me një pankartë ku shkruhej “Stop luftën” dhe “Ata po ju gënjejnë juve”. 44 vjeçarja mori dy muaj arrest shtëpiak në Gusht 2022 dhe përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtore për përhapjen e lajmeve të rreme për forcat e armatosura të Rusisë.
Rasti lidhet me një protestë në Korrik, kur ajo qëndroi në një argjinaturë lumi përballë Kremlinit dhe mbajti një poster që e quajti presidentin Vladimir Putin një vrasës dhe ushtarët e tij fashistë.
“E dini, unë mendoj se Putini po humbet pushtetin. Në situatën aktuale ai është i vetëm, është i izoluar. Pra, mendoj se ky regjim nuk ka shumë kohë për të jetuar, ditët e tij janë të numëruara. Mos më pyet kur dhe si do të përfundojë lufta. E vetmja gjë që mund të them është se kjo luftë duhet të përfundojë me një fitore absolute të Ukrainës. Kohët e fundit kam lexuar se ky proces i krijimit të një gjykate ndërkombëtare në Hagë ka filluar më në fund, po planifikohet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe shpresoj se komuniteti ndërkombëtar do të ketë sukses me këtë, sepse mezi pres t’i shoh këta kriminelë të ulur në bankën e të akuzuarve në një Gjykatë Ndërkombëtare.”
Më pas ajo u zhduk dhe autoritetet ruse e vendosën në listën online të ministrisë së Brendshme të të arratisurve nga drejtësia. Me ndihmën e OJQ-së Reporterët pa Kufij, Ovsyannikova dha një rrëfim se si ajo iku duke përdorur disa makina, duke ecur në fusha me baltë dhe përfundimisht duke arritur në territorin evropian Tetorin e kaluar me një vizë Shengen së bashku me vajzën e saj.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 Shkurt, Putini ka goditur disidencën dhe median, me mijëra të arrestuar në protestat kundër luftës dhe një ligj të ri që kërkon dënime me 15 vjet burg për ata që shpërndajnë lajme të rreme.
Klan News