Sipas Kurtit, demonstrata e 10 shkurtit 2007 detyroi Ahtisaarin ta shtojë rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur

Familjarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, me rastin e 16-vjetorit të rënies, kanë përkujtuar Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, të vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007.

Me këtë rast janë bërë homazhe në vendin e rënies së aktivistëve, në sheshin “Nëna Terezë”, ku edhe për nder të tyre është ngritur një pllakë përkujtimore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kanë vendosur kurora me lule pranë pllakës përkujtimore, me ç’rast kërkuan drejtësi për vrasjen e tyre.

Nga aty, kryeministri Kurti numëroi plumbat që janë shprazur në drejtim të aktivistëve të kësaj partie, të cilët protestonin kundër planit të Ahtisaarit.

Ai tha se ky plan nuk ishte i drejtë sepse përmbante komuna të reja me baza etnike, autonomi për manastiret, të drejten e vetos së deputetëve serbë në kuvend si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në borxhet e jashtme të Serbisë.

“Para ‘Skënderbeut’ na ndali kordoni i policisë. Dy ditë më herët u shfaq plani i Ahtisaarit. Ne ishim të pakënaqur sepse ishim të bindur që Kosova meriton më shumë dhe s’duron padrejtësitë. Plani i Ahtisarit nuk ishte i drejtë sepse aty kishte komuna të reja me baza etnike, autonomi për manastiret, e drejta e vetos së deputetëve serbë në kuvend, pjesëmarrja e Kosovës në borxhet e jashtme të Serbisë”.

“232 plumba u shpërndanë nga UNMIK-u, asgjë nuk shihej nga lotsjellësi. UNMIK-u e shfrytëzoi autoritetin ndërkombëtar. Pas asaj demonstrate u shtua rekomandimi për pavarësi të mbikëqyrur”, tha Kurti, teksa përmendi edhe aty kundërshtitë për themelimin e Asociacionit.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutuar nëse ja ka vlejtë komunat me baza etnike, prandaj Beogradi kërkon me ngulm ‘Zajednicën’. Këtë se dojnë serbët e Kosovës, po Serbia. Te serbët në Kosovë s’ka pluralizëm politik, kjo po lind me qeverinë tonë, prandaj Serbia është në panik, duan ta shpallin një kryetar ‘Zajednice’ dhe me të ta shkelin ministrin serb në Kosovë”.:

Lexo gjithashtu
Total
0
Share