Bota në solidaritet për të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri

E gjithë bota është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë Turqisë dhe Sirisë të cilat u goditën nga tërmeti vdekjeprurës. Shpëtimtarët ndërkombëtarë mbërritën në aeroportin e Adanas në Turqinë jugore, një ditë pasi një tërmet me magnitudë 7.8 shkatërroi vendin dhe Sirinë fqinje.

Pamjet video të Reuters treguan shpëtimtarë nga Serbia, Gjermania, Rumania dhe Spanja që mbërrinin me pajisje dhe qentë e shpëtimit pranë tyre të gatshëm për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve.

Moti i ftohtë ka përkeqësuar më shumë situatën në vend si dhe operacionet e kërkim-shpëtimit. Tërmeti rrëzoi blloqe të tëra apartamentesh në qytetet turke ndërsa në Sirinë e përfshirë në lufta situata mbetet edhe më e rëndë.

Ekipi i parë i ndihmës civile të Kinës u nis për në Turqi ku do të punojë në zonat më të goditura dhe pritet të mbërrijë në vend të mërkurën. Ai përbëhet nga tetë ekspertë të shpëtimit nga tërmeti me përvojë të pasur në operacionet ndërkombëtare të shpëtimit të shoqëruar me pajisje të avancuara detektorë, mjete shpëtimi dhe një qen kërkimi.

Gjithashtu edhe më shumë se 140 personel nga marina, ushtria dhe Kryqi i Kuq u nisën me një avion ushtarak nga bazën ajrore ushtarake Santa Lucia, në periferi të Mexico City. Avioni do të dërgojë gjithashtu ndihma humanitare dhe qen kërkim-shpëtim për të ndihmuar në mision. Ndërkaq dy ekipe nga Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive të Indisë, e përbërë nga rreth 100 personel, hipën në një avion teksa do të dërgojnë materiale dhe pajisje emergjente. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit përgatitën ndihma për t’u dërguar në Turqi.

Ndërkaq edhe qeveria e Australisë dhe e Zelandës së Re u zotuan të ofrojnë ndihmë humanitare rajonet e goditura nga tërmeti. Pavarësisht tensioneve të larta politike të viteve të fundit, Greqia ishte ndër vendet e para që nisi drejt Turqisë një kontigjent prej 21 trupash të ekipeve të emergjencës dhe mjete logjistike për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit.

I gatshëm për të ndihmuar vendin mik që ka ndërmjetësuar për uljen e tensioneve me Rusinë, u shpreh edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy. 4 avionë me ndihma për trupat e emergjencës dërgoi Rusia, ku përfshihen një ekip prej 40 ekspertësh dhe 7 ekipe qensh për zbulimin e trupave nën rrënoja. Edhe qeveria shqiptare nisi drejt Turqisë një mision kërkim shpëtimi për t’u ardhur në ndihmë operacioneve që po kryhen pas tërmetit shkatërrimtar.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share