Efekti i tërmetit me magnitudë 7.4, që ndodhi në qendrën e “Kahramanmaraş Pazarcik”, është ndjerë edhe në krahinat përreth. Volkan Demirel, ish-portieri i njohur i kombëtares turke, i cili tani është trajneri i Hatayspor, i ka përcjellë ngjarjet në qytet me lot në sy, në transmetimin e drejtpërdrejtë që ka bërë nga llogaria e tij në rrjetet sociale:
“Të gjithë janë të mjerë këtu. Të gjithë po vdesin në Hataj. Këtu ju lutem duhet ambulancë, ndihmë… Gjërat janë shumë keq këtu. Ndihmë, ne nuk mund t’i shpëtojmë njerëzit nën rrënoja.
Nuk mund të bëjmë më shumë vetë. Unë dua që ju t’i dërgoni të gjitha, nëse është e mundur. Situata është e njëjtë jo vetëm në Hataj, por edhe në provincat përreth. Ju lutemi ndihmoni, për hir të Zotit!”
Një tërmet i fuqishëm ka goditur një zonë në Turqinë juglindore pranë kufirit me Sirinë, duke shkaktuar qindra viktima. Bëhet me dije se tërmeti ka pasur një magnitudë 7.8 ballë të shkallës Rihter dhe ka rënë rreth orës 04:17 të mëngjesit.
Mbi 400 persona janë identifikuar si të vdekur në zonën turke dhe atë siriane. Dhjetëra viktima janë shkaktuar edhe në Sirinë veriore, ndërsa pritet që numri të rritet në orët në vijim. Shumë ndërtesa janë kthyer në “gërmadha”, ndërsa ekipet e shpëtimit janë vendosur për të kërkuar të mbijetuarit nën rrënoja.