Policia po kontrollon çdo automjet me targa bullgare në kabinën e pagesës afër Kumanovës në pritje të një grupi më të madh prej 150 bullgarësh që sot në mëngjes u nisën nga Sofja për në Shkup për të nderuar revolucionarin maqedonas Goce Dellçev.
Kontrollet e përforcuara të policisë me disa automjete dhe furgona janë në të gjitha pikat e pagesës pasi qytetarët kanë njoftuar në rrjetet sociale se do të bllokojnë pikat e pagesës për të mos lejuar kalimin e shtetasve bullgarë, ndërsa MPB-ja aktualisht po kontrollon vetëm automjetet bullgare.
”Pasagjerët e automjeteve me targa bullgare janë ndaluar gjatë gjithë paradites. Kaluan vetëm dy furgona me targa bullgare, por të shoqëruar nga dy automjete policie. Nuk kemi njoftime se do të ketë bllokada, për momentin është qetësi – thonë nga vendkalimi në Romanovcë.
Rreth 150 bullgarë u nisën mëngjesin e sotëm në orën 6:30 me një kolonë makinash, në vend të autobusëve siç ishte paralajmëruar më parë.
– Në festë do të jenë rreth 150 qytetarë bullgarë nga Bullgaria. Unë dhe njerëzit që do të vijnë në Maqedoni e njohin popullin maqedonas dhe duam nderime të përbashkëta për Goce Dellçevin sepse ai është heroi ynë i përbashkët. Pa sharje dhe tensione – tha Viktor Stojanov.