Apple, Amazon dhe Alphabet postuan të gjitha rezultate zhgënjyese tremujore këtë javë, ndërsa kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, e kundërshtoi trendin e zymtë në teknologji me të ardhura më të mira se sa pritej.
Apple raportoi rënien e parë të të ardhurave në gati katër vjet pasi kufizimet e COVID-19 në fabrikat e saj në Kinë kufizuan shitjet e iPhone gjatë sezonit vendimtar të festave të Krishtlindjeve. Shitjet e kompanisë prej 117 miliardë dollarë për periudhën tetor-dhjetor përfaqësonin një rënie prej 5% nga e njëjta kohë e një viti më parë, një rënie më e mprehtë nga sa kishin parashikuar analistët. Fitimi tremujor i Apple gjithashtu ra në 30 miliardë dollarë, një rënie prej 13 % nga viti në vit. Kjo është hera e parë në gati shtatë vjet që të ardhurat e saj ranë poshtë pritshmërive të të tregut.
Kompania mëmë e Google, Alphabet, gjithashtu postoi fitim më të ulët tremujor dhe një rritje të vogël të të ardhurave, pasi një rënie në shpenzimet e reklamave në internet dhe konkurrenca nga rivalët rëndojnë mbi gjigantin e kërkimit. Ndërsa të ardhurat e përgjithshme u rritën, të ardhurat nga reklamat ranë me gati 4% dhe ato në YouTube ranë 8 % nga viti në vit. Kjo trembi investitorët, të cilët ulën aksionet e kompanisë gjatë tregtimit pas orarit të punës. Alphabet tha se fitoi 13.62 miliardë dollarë në tremujorin tetor-dhjetor, një 34 % nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Të ardhurat u rritën 1 % në 76.05 miliardë dollarë.
Google po përballet me konkurrencën në fushën e inteligjencës artificiale nga Microsoft, i cili muajin e kaluar njoftoi se po bënte një “investim shumëvjeçar, shumë miliardë dollarësh” në OpenAI, krijuesi i ChatGPT jashtëzakonisht popullor dhe mjeteve të tjera që mund të shkruajnë tekst të lexueshëm dhe të gjenerojnë imazhe të reja.
Alphabet njoftoi muajin e kaluar se po shkurtonte 12 mijë vende pune, ose rreth 6% të fuqisë së saj punëtore, në raundin më të madh të pushimeve nga puna. Dhjetëra mijëra vende pune janë hequr në industrinë e teknologjisë pasi Microsoft, Amazon, Meta dhe kompani të tjera shtrëngojnë rripat e tyre përballë një perspektive të errët ekonomike.
Amazon raportoi gjithashtu fitime më të këqija se sa pritej për tremujorin e katërt dhe paralajmëroi se fitimi i saj operativ mund të bjerë në zero në tremujorin aktual pasi kursimet nga pushimet nga puna nuk kompensojnë ndikimin financiar të klientëve që shtrëngojnë shpenzimet në mes të inflacionit të lartë.
Shitësi me pakicë në internet po shkurton kostot dhe tha muajin e kaluar se më shumë se 18 mijë punonjës, veçanërisht në sektorët e tij të tregtisë dhe burimeve njerëzore, do të humbasin vendin e tyre të punës.
Meta u dëmtua gjithashtu nga një rënie në tregun e reklamave në internet dhe konkurrenca nga rivalë të tillë si TikTok. Por të ardhurat e saj tremujore mposhtën pritshmëritë e heshtura të analistëve dhe investitorët mirëpritën masën e kompanisë për të ulur parashikimin e saj të shpenzimeve këtë vit. Lëvizja e Metës për të frenuar kostot shënoi një ndryshim dramatik për një kompani që ka shpenzuar miliarda dollarë për ta kthyer vizionin e saj të metaverses futuriste në realitet, edhe pse biznesi i saj kryesor u rrëmbye nga konkurrenca e ashpër dhe një treg i dobët reklamash.
Kursimet do të vijnë nga shkurtimet e 11 mijë vendeve të punës të njoftuara nga Meta në nëntor, si dhe planet për shpenzime më të ulëta të ndërtimit të qendrave të të dhënave dhe lëvizjet për të hequr dorë nga projektet jo vendimtare.
/ SCAN