Plani sekret: SHBA i njeh Rusisë, 20% të territorit ukrainas?

Kremlini: Një gënjeshtër e madhe. E mohon edhe Uashingtoni

Kremlini hedh poshtë lajmet që qarkulluan në disa media ndërkombëtare se Uashingtoni i ka propozuar një marrëveshje sekrete Rusisë për zgjidhjen përfundimtare të krizës ukrainase.

Ishte e përditshmja zviceriane Noje Cyrsher Cajtung që fillimisht publikoi një plan sekret që pretendoi se e kishte siguruar përmes burimeve të saj pranë CIA-s.

Plani parashikonte që Uashingtoni të pranonte që Rusisë t’i jepej 20% e territorit të Ukrainës, një hapësirë që përkon me zonën lindore të Donbasit, ku pro-rusët kanë shpallur bashkimin me Rusinë.

E përditshmja zvicerane shkruan se drejtori i CIA-s Uilliam Bërns ia parashtroi këtë plan të Shtëpisë së Bardhë, Presidentit rus Vladimir Putin gjatë një vizite sekrete në Moskë, muajin e kaluar.

Megjithatë, për Kremlinin ky plan është një mashtrim i plotë. Edhe zyrtarët e Uashingtonit thanë se një plan i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kushti i Moskës për fundin e të ashtuquajturit operacion special është që Ukraina të njohë si pjesë të Rusisë 5 rajonet e aneksuara, por Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka qenë i prerë, duke thënë se ushtria e tij do të luftojë deri në fund për të mos dorëzuar asnjë centimetër territor.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share