Heqja e barrikadave në veri të Kosovës, Rama: Shfaqje që zgjati ca më shumë, në fund të gjithë u kthyen në shtëpi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, ku ditën e sotme u hoqën barrikadat e vendosura nga serbët.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se në përfundim të kësaj situate të gjithë shkuan në shtëpi.

Por Kryeministri Rama e konsideron të pakuptimtë vendosjen e barrikadave “si mjet paqësor proteste”. E në këtë pikë, kreu i qeverisë shqiptare kërkon mirëkuptimin e ndërkombëtarëve për të mos qenë dakord.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë! Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare”, shkruan Rama.

Kryeministri thotë se vendosja e barrikadave nga ana e serbëve, të cilën e konsideron shfaqje të radhës, nuk i japin zgjidhje tërësore situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Serbët hoqën sot barrikadat e vendosura prej tyre në veri të Kosovës prej disa ditësh.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share