Berisha: Për këtë qeveri, largimi i të rinjve është një lajm i mirë

“Dobësohet fuqia protestuese dhe votat kundër saj.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte në seli një takim me rrjetin ndërkombëtar dhe atë vendor të Departamentit Brain Gain & Ekselences. Në takim, Berisha tha se krijimi i një elite të aftë, atdhetare, përbën një objektiv të rëndësishëm të PD-së.

“Është një nder shumë i madh dhe të kurorëzoj përpjekjen tonë 1-vjeçare me elitën e rinisë studentore, por jo vetëm rinisë studentore. Me këtë takim, që ka për ne si parti një rëndësi shumë të veçantë. Për një komb, për një shoqëri, çështja e elitës është çështje kryesore. Krijimi i një elite të aftë, atdhetare, një elite kompetente, përbën pasurinë madhore kombëtare, përbën një objektiv të rëndësishëm të PD-së dhe forcave konservatore. E vërteta është se në një vështrim të zhvillimeve të dekadave të fundit, dhe më shumë se dekadave të fundit, nëse e majta ekstreme ishte shkatërrimtare e elitave, me program, me projekt, me aktin e parë të marrjes së pushtetit, u vërsuleshin elitave, por koha tregon se në tërësi e majta, mbetet shkatërrimtare e elitave, për shkak të objektivave që ajo përcakton ndaj tyre. Ju keni vendosur aty një motiv: frytet tona t’ia kthejmë rrënjëve që na kanë ushqyer. Në këtë slogan qëndron një nga shtyllat më kryesore të konservatorizmit. Është atdhedashuria, është përgjegjësia që çdo njeri i qytetëruar ndjen ndaj kombit dhe vendit të tij. Dashuria për vendin dhe kombin është më eprorja, më sublimja. Është ajo që i jep një energji pozitive të pashtershme studiuesit, ekspertit, specialistit. Është ajo që shndërrohet në një horizont magnetik që e tërheq”.

Duke u ndalur tek largimi i të rinjve, Kryedemokrati nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë.

“Ka një raport jetik midis të ardhmes dhe rinisë. Midis të ardhmes dhe elitës. Në rast se ju vështroni sot shifrat demografike, ato janë tmerrësisht tronditëse. Një komb që vetëm në hapësirën evropiane, humbet 740 mijë qytetarë, pa llogaritur të tjerë që janë larguar në drejtime të tjerë, jo Shengen. Në historinë e luftërave, botërore apo civile, nuk gjendet asnjë komb tjetër që ka pësuar këtë katastrofë demografike që ka pësuar kombi shqiptar. Polonia ka humbur 20 përqind të popullatës në Luftën Botërore. Shqipëria 31 përqind në 7 vite. Kjo jo nga tirania e mjerimit e vitit 1991, kur njerëzit nuk kishin kafshatën, por nga një agresion brutal i krimit, i drogës, i lidhjeve të qeveritarëve me krimin, drogën dhe vjedhjen e qeveritarëve. Për këtë qeveri, largimi i të rinjve është një lajm i mirë, sepse dobësohet fuqia protestuese dhe votat kundër saj. Për vendin dhe kombin, kjo është absolutisht një katastrofë. Dy gjëra rrënojnë më shumë se tjetër të ardhmen: mungesa e rinisë. E dyta, borxhi. Edhe borxhi është një barrë e tmerrshme. Kjo qeveri, të dyja po i kryen në mënyrën më pasionante”.

Berisha tha po ashtu se Partia Demokratike mbështet çdo përpjekje dhe investim në elitën e kombit.

“Ky takim dhe kjo përpjekje e juaja, sado që të duket sikur po i hyni detit në këmbë, mos harroni se misionet të tilla janë. Nuk ka mision të lehtë. Misionet janë të vështira. Misionarët thonë shpesh se kësaj i thonë po i hyjmë detit në këmbë. Por detit mund t’i hyhet në këmbë. Ndaj unë kam mirënjohje të thellë për punën e madhe që keni bërë dhe lidhjet që keni krijuar në një kohë relativisht të shkurtër. E konsideroj këtë si një përpjekje të rëndësishme për përgatitjen e PD për fitoren e PD dhe ardhjen në pushtet. Por mbi të gjitha për qeverisjen e saj nesër. Hapësirat janë të pafundme, e rëndësishme është që ekspertët më të mirë të kontribuojnë për vendin e tyre. Ne do mbështesim shumë përpjekjet tuaja dhe nesër në pushtet ajo do materializohet me sukses të plotë. Sepse investimi në elitën e kombit është investimi më cilësor dhe më i rëndësishëm për të ardhmen e tij. Para se të mbyll fjalën time, kam një urim të përzemërt për ju që jeni këtu. Për anëtarët dhe mbështetësit e këtij departamenti dhe të gjithë ata që ndjekin zhvillimet në vendin e tyre dhe punën e këtij departamenti. I garantoj se PD pret më shumë interes dhe mirënjohje kontributin e tyre. Gëzuar festën e Vitit të Ri”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share