Si t’i mbijetoni mbajtjes së takave natën e Vitit të Ri pa i ‘masakruar’ këmbët

Mbrëmja e Vitit të Ri kërkon që të vishemi sa më bukur për të dalë pas darkës tradicionale dhe shpesh, t’i drejtohemi edhe këpucëve të parehatshme. Gjithsesi, historia është gjithnjë e njëjta: në një pikë i heqim takat për t’i ndjerë sërish gishtat e këmbëve dhe kaq ishte, nuk ka gjasë që t’i veshim sërish më vonë.

Më poshtë gjeni disa truke të vogla që mund t’i përdorni për të mos i hequr takat tuaja gjatë mbrëmjes, por edhe këmbët të kenë mundësi të çlodhen.

Mos i ekspozoni këmbët në temperatura të ulëta

Temperaturat e ulëta nuk do t’ju ndalin për të veshur diçka festive, por fillimisht zgjidhni këpucët tuaja. Zgjedhja më e përshtatshme janë takat e mbyllura ose çizmet e larta. Sipas një podiatristeje, kur këmbët nuk qëndrojnë ngrohtë ka më shumë gjasa që të keni dhimbje edhe nga i ftohti. Për më tepër, presioni që ushtrohet në shputat e këmbëve nxin indet e buta që dhembin edhe më shumë kur janë të ftohta.

Lartësia ideale e takave është 2 centimetra

Këpucët me takë të trashë nuk janë vetëm në modë, por edhe i lodhin më pak këmbët. Takat deri në 2 centimetra janë ideale dhe përpiquni t’i evitoni sa më shumë versionet e tyre të holla. Gjithashtu, sigurohuni që të ketë një aksesor që e ndihmon të qëndrojë siç duhet në këmbë si rripat.

Zgjidhni fillimisht takat, më pas veshjen

Kjo këshillë mund të jetë pak e pazakontë, por është më mirë të zgjidhni fillimisht këpucët që e e dini se mund t’i mbani veshur dhe të jeni rehat për një kohë të gjatë. Kjo nuk ka pse të jetë kufizuese apo të sakrifikoni stilin tuaj unik.

Këpucët duhet të kenë mbështetje në pjesën e shputës

Ndonëse është e lehtë t’i trajtosh këmbët e lodhura, më e mira është shmangia e dhimbjes. Zgjidhni këpucë që kanë mjaftueshëm mbështetje në pjesën e shputës dhe sidomos te gishtat, në mënyrë që të ulni presionin në zonën e përparme të këmbës.

Uji i ngrohtë

Nëse të gjitha këto nuk ju funksionuan ose këmbët tuaja janë vrarë apo lodhur së tepërmi, ka një metodë të thjeshtë që mund t’ju ndihmojë. Vendosini këmbët në ujë të ngrohtë ku të keni hedhur edhe kripëra Epsom (sulfat magnezi), të cilën mund ta blini në farmaci apo dyqane të ndryshme të kujdesit për veten. Përpiquni që për pjesën tjetër të ditës mos të vishni sërish taka të larta, por të zgjidhni këpucët më të rehatshme./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share