Jordania kap një ton me “kokainën e të varfrit” në kufirin me Iranin

Jordania ka kapur një ton me pilula amfetamine që po hynin kontrabandë në ngarkesën me marmalatë hurmash Arabie në kufirin me Iranin.

6 milionë pilula të drogës së quajtur Captagon u gjetën brenda dy mauneve frigoriferike, raporton “BBC”. Sipas Shërbimit të Doganave në Jordani, kjo është një nga ngarkesat më të mëdha të kapura ndonjëherë.

Captagon, e quajtur ndryshe si “kokaina e të varfrit” prodhohet në sasi të mëdha në Siri, ku lufta që vijon prej dekadash e ka kthyer në një narkoshtet. Në kulmin e luftës, grupet militante furnizonin me drogë ushtarët, e cila shpesh përziehet me kafeinë, për t’i nxitur kurajën.

Me rritjen e varfërisë, shumë qytetarë sirianë janë përfshirë në këtë tregti, e cila tashmë vlen më shumë se çdo eksport i ligjshëm. Pavarësisht mohimeve nga qeveria siriane, shumë raportime kanë lidhur figura të rëndësishme të vendit nga fushat e biznesit apo ushtrisë me prodhimin dhe shpërndarjen e Captagon.

Amfetamina kontrabandohet në vendet fqinjë si Jordania dhe Libani. Destinacioni përfundimtar janë shtetet e Gjirit Persik ku ka një treg të madh. Detajet se ku do të shitej apo sa persona janë arrestuar nuk janë bërë ende të ditura./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share