A është “Qeveria Kurti” më jotransparentja? | Analistët: Qeverisja me “duar të pastra” s’po gjen zbatim

Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur në pushtet me premtimet që do të “qeverisë me duar të pastra” dhe që do të jetë qeveria më transparente, por gati pas dy vitesh qeverisje sipas njohësve po cilësohet se është qeveri e njëjtë si qeveritë e kaluara.

Njohësit e fushës politike po cilësojnë se Qeveria Kurti nuk është Qeveria që kanë pritur qytetarët, duke shtuar sa i përket transparencës ndaj medieve e publikit, është Qeveria më jotranspartne që nga pas lufta.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj në një intervistë për EO tha se nëse e krahasojmë qeverinë Kurti më të tjerat pa dyshim që kjo qeveri është më e pastër, por sipas tij, në raportet e publikuara nga ky Institut del që ka deputet dhe ministra që kanë akuza për vepra penale.

Prandaj sipas tij, premtimi elektoral i VV-së që do të kemi “qeverisje me duar të pastra” nuk është që po gjen zbatim në praktik.

“Instituti ka publikuar raportin ‘Qeverisja me duar të pastra’, i cili ka bërë një analizë në lidhje me numrin e deputetëve, ministrave, kryetarëve të komunave se sa është numri atyre që sot janë qoftë me aktakuzë apo vepra penale korruptive. Pa dyshim që kjo Qeveri nëse e marrim krahasimin me qeveritë e kaluara është shumë më e pastër në kuptim që kemi një numër shumë më të vogël të deputetëve, të ministrave, të kryetarëve të komunave të cilët janë të akuzuar për vepra penale, por që padyshim në këtë qeverisje shohim që kemi deputet që sot janë të dënuar për vepra penale korruptive me dënime që shkojnë mbi 3 vjet burg, po kemi edhe ministra kemi edhe kryetarë të komunave të cilët sot edhe pse të akuzuar të njëjtit qeverisin”.

“Kështu që ai premtimi elektoral i VV-së që do të kemi ‘qeverisje me duar të pastra’ nuk është që po gjenë zbatim në praktik, siç tregojnë edhe raportet  ndërkombëtare, një Qeveri e cila proklamon sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe e cila po ashtu qeverisë me ministra dhe deputet që janë të akuzuar për vepra penale korruptive sigurisht që jep një shembull jo të mirë dhe e ul besimin e publikut”, tha ai.

Miftaraj shtoi se sa i përket transparencës ndaj medieve, shoqërisë civile dhe publikut, qeveria Kurti është Qeveria më jo transparente që nga lufta, duke shtuar se nga premtimi për transparencë radikale, kemi kaluar në një mbyllje totale sa i përket informacioneve.

“Mund të them se kjo Qeveri është më së paku transparente që nga përfundimi i luftës edhe në këtë fushë kemi publikuar raportin ku del që një numër i madh i ministrive nuk kanë në uebsajtet e tyre informatat bazike ku qytetarët mund të informohen. Po ashtu edhe qasja në dokumente publike dhe në përgjigjet e tyre për organizatat jo qeveritare dhe e shohim që në këtë aspekt, kjo qeveri dhe shumica e ministrive kanë defekte mjaftë të mëdha. Dhe mund të them nga ajo që kanë premtuar transparencë radikale kemi kaluar në një mbyllje totale të kësaj qeverie në raport me mediat, shoqëri civile apo edhe publikun”.

Ish-zëvendësministrja në Qeverinë Haradinaj, Magbule Shkodra, tha se qytetarët kanë shpresuar që Qeveria Kurti do të jetë një Qeveri me duar të pastra, por sipas saj, po del që të jetë e njëjtë si qeveritë e kaluara.

“Tani për të folur për pastërtinë, pastërtia është një nocion mjaftë i gjatë, i gjerë dhe është vështirë të thuhet  saktë është apo nuk është në këtë kuptim ne kemi parë disa raportime për ndoshta keqpërdorime nëse mund të quhet ose ato tenderët një burimor që u përmendën mjaftë shumë, pastaj punësimet më parë Vetëvendosja i kritikonte dhe tani po i shohim që kanë ndodhur edhe në këtë qeveri, është vështirë të thuhet, por unë mendoj që nuk mund të flasim për atë çka e kanë pritur qytetarët, një qeveri të pastër ashtu siç kanë shpresuar, por është një qeveri mund të them si Qeveritë e tjera”.

“Nuk mund të di numrin se sa ka, por po shihet që ka. Tani mund të themi që po vërehet një punë më  e madhe  e sistemit të drejtësisë unë të them të drejtën nuk e kam vërejtur. Sistemi i drejtësisë ende duhet të reformohet dhe duhet poashtu të mbështetet nga Qeveria. Unë e di pushtetet janë të ndara, por këtu po flas për mbështetjen financiare dhe të mos ndodhin ato akrobacione që ndodhën p.sh më herët që u folën do të zvogëlohen pagat, që nuk duhet të bëhen këto gjëra të tilla. Duhet të ju jepet mbështetje sa më e madhe në mënyrë që ta kryejnë punën  sa duhet. Sa ka nuk po vërejmë ndonjë dallim nga periudhat e kaluara”, tha ajo.

Sa i përket transparencës, Shkodra tha se ka një mbyllje totale nga Qeveria Kurti.

“Këtu kam një vërejtje shumë serioze. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë në vazhdimësi e mbante konferenca për shtyp dhe na informonte për çdo gjë dhe mundohej për çdo çështje të ishte aty e pranishme tani shohim një mbyllje të qeverisë Kurti. Kjo është për keqardhje, pritjet e mia dhe pritjet në përgjithësi të publikut kanë qenë plotësisht tjera dhe në anën tjetër nuk kanë faj edhe njerëzit pastaj s’po iu lihet vend edhe për spekulim pasi që nuk kemi informacion direk nga vetë Qeveria”.

“Pse Kryeministri Kurti të mos shkoj në televizione të Kosovës dhe të jap intervistë dhe të na informojë dora e parë pra të kemi informacion të dorës së parë prej tij  se çka po ndodh në veri, si është situata me marrëveshjen, e jo ne të presim të dëgjojmë aty këtu ndonjë intervistë që gazetarët mezi e marrin diku në ndonjë prononcim të rastit, por ai duhet të jetë i hapur. Unë mendoj që Qeveria Kurti fatkeqësisht për mua është kjo befasi dhe nuk e kam pritur dhe jo vetëm unë që nuk është transparente”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share