Kongresi: Zyrtarisht – Arben Taravari i pari i ASH-së

NË KRYESINË E PARTISË VENDI I REZERVUAR EDHE PËR SELËN

Me një duartrokitje të gjatë, delegatët e Aleancës për Shqiptarët e përcollën Ziadin Selën.

Por më së rëndi largimin e tij nga posti i Kryetarit e përjetoi deputeti Ilmi Aziri. Shpalosi detaje nga rrugëtimi i tij politik me Selën, e në fjalimin e tij që zgjati 13 minuta, Aziri e përmend tanimë ish kryetarin e Aleancës, më shumë se 17 herë, raporton Klan M.

E u ankua edhe për propagandën anti-Sela.

”Këto qëndrime të Ziadin Selës, nga shumëkush edhe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, u quajtën radikale. Mos të flasim për subjektet politike të etnive tjera. Filloi një propagandë e ashpër, e egër ndaj kësaj figure që rrezatonte, që ngjallte shpresë dhe që i bashkoi shqiptarët” – tha Ilmi Aziri.

E Sela doli dhe tha se e mbajti fjalën edhe për premtimin që e tha publikisht kur u largua nga PDSH, se subjektet politike nuk mund të jenë pronë e një individi.

”Kemi thënë që duhet ti dhënë fund privatizimit të veprimtarisë politike sepse partitë politike nuk mund të jenë pronë e një individi. E unë jam sot këtu me krenarinë më të madhe për t’iu thënë se unë i qëndrova fjalës ashtu siç i kam qëndruar edhe shumë fjalëve tjera deri më tani” – tha Ziadin Sela.

Ashtu siç e përcollën Selën, delegatët e Aleancës e pritën Taravarin.

Vetëm dy delegatë ishin të përmbajtur, e njëri kundër kandidatit të vetëm. Taravari fjalimin e parë si Kryetar i këtij subjekti e nisi me modesti.

”Në kohët moderne politikanët premtojnë shumë. Sa më shumë që premtojnë, fatkeqësisht aq më shumë gënjejnë. Unë nuk do të premtoj asnjë gjë. Unë sot zotohem se do të jem zëri, arsyeja, këmbëngulja e secilit nga ju. Unë jam ju!” – tha Arben Taravari, kryetar i ASH-se.

Taravari informoi se mbi 50% e kryesisë do të jenë fytyra të reja. E partia votoi edhe disa ndryshime në statut. Do të ketë edhe Kryetar të Kuvendit qendror, post i cili pritet që ta merr Ziadin Sela.

Sa i përket zërave të fundit për bashkimin e Aleancës në koalicionin qeverisës, Taravari tha se fillimisht duhet të formohen organet partiake e më pas të vendoset nëse vjen ndonjë ofertë. /KlanMacedonia/

Pergatiti: Furkan Saliu

Lexo gjithashtu
Total
0
Share