Terminali i parë i gazit natyror në Gjermani

Sasia e gazit e mjaftueshme për të furnizuar nga 50- 80 mijë shtëpi në një vit

Gjermania ka vendosur në punë terminalin e parë të gazit natyror të lëngshëm për shkak të ndërprerjes së furnizimeve ruse dhe krizës energjetike.

Për herë të parë, ky terminal po futet në rrjetin gjerman të gazit si pjesë e një faze testimi e cila parashikohet të përfundojë deri në fund të shkurtit. Të shtunën e kaluar, kancelari federal Olaf Scholz e përuroi terminalin së bashku me udhëheqës të tjerë të qeverisë së koalicionit.

Anija speciale Höegh Esperanza (Hëg esperanca) mbërriti javën e kaluar në Wilhelmshaven (Vilhelmshaven) e ngarkuar me rreth 165,000 metra kub gaz natyror të lëngshëm për të furnizuar tubacionin e sapondërtuar të gazit.

Sipas Uniper-it, sasia e gazit në bordin e anijes është e mjaftueshme për të furnizuar 50,000 deri në 80,000 shtëpi në Gjermani për një vit. Mediat gjermane thonë se anija do të furnizojë nga 15 deri në 155 gigavat orë gaz natyror në ditë në rrjetin e gazit. Ky gaz do të përdoret gjithashtu për vënien në punë të tubacionit të ri rreth 26 kilometra nga Wilhelmshaven në Etzel (Etcel ).

Gjermania shpreson të ketë 30 miliardë metra kub kapacitet importi deri në fund të vitit të ardhshëm. Ndërkaq Gjermania përfundoi shtetëzimin e importuesit më të madh të gazit, Uniper. 99% e aksioneve të të cilit do t’i transferohen qeverisë. Uniper ishte kontrolluar më herët nga kompania shtetërore finlandeze e energjisë Fortum. Kompania pësoi humbje të mëdha gati deri në 8.5 milion Euro pasi Rusia shkurtoi furnizimet me gaz natyror për vendet evropiane që mbështesin Ukrainën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share