“Ju jeni idiotë apo bëni vetë?” | Rama iu përgjigjet akuzave të opozitës se fshihet pas një offshore-i në Holandë

“Ju jeni idiotë apo bëni vetë?”, me këto fjalë iu drejtua Kryeministri Edi Rama deputetëve të opozitës këtë të mërkurë nga foltorja e Kuvendit. Ai tha se kjo dilemë i lind kur dëgjon akuzat pa prova në drejtim të tij. Duke marrë fjalën pas deputetit demokrat Agron Shehaj që e akuzoi se fshihet pas një kompanie offshore në Holandë, Rama tha se për këtë opozita duhet të sjellë prova, pasi një akuzë e tillë është shumë e rëndë. Nëse do të kishte prova, kreu i qeverisë u shpreh se, ai jo vetëm që nuk duhet të ishte në karrigen e kryeministrit, por duhet të ishte para drejtësisë.

Komentet e tij nuk kaluan pa reagime nga deputetët demokratë në sallë.

Edi Rama: Zoti Shehaj unë jam gjithmonë në dilemë kur ju dëgjoj juve. A jeni idiot, apo bëni vetë? Sepse ju thatë që unë fshihem pas një offshore-i në Holandë. Dhe unë ju thashë a ka mundësi të vini këtu dhe të sillni provën për këtë që thoni, se kjo është shumë e rëndë.

Sali Berisha: Nxirre jashtë.

Edi Rama: Sepse është shumë e rëndë që unë të fshihem pas një offshore-i në Holandë. Dhe ju, ta thoni këtë literalisht, do të thotë që ju të dispononi një provë. Dhe nëse ju e dispononi këtë provë, unë, jo vetëm që nuk duhet të jem aty, por unë duhet të jem para drejtësisë. Unë ju ftova që ju të jepni provën dhe në të gjithë atë që thatë, unë nxora përsëri dilemën time: ju jeni idiotë apo bëni vetë? Sepse t’i thuash tjetrit që është në krye të qeverisë, t’ia thuash në sy të të gjithë publikut, që je i fshehur pas një kompanie offshore në Holandë dhe të dalësh këtu dhe të bësh një skeç të Shvejgut, se rruga Tiranë-Vlorë është kaq kilometra dhe në kam lindur në Selenicë dhe me këtë deduktoj që gjyshja jote është 72 vjeç, unë nuk di se ça të them tjetër, realisht. Se këto janë akuza ekstreme dhe akuzat ekstreme mund të bëhen vetëm në bazë të provave. Juve nuk mund të zini foltoren e Kuvendit dhe t’i drejtoheni një publiku të tërë duke thënë që kryeministri fshihet pas një kompanie offshore, sepse nëse kjo është e vërtetë atëherë këtu menjëherë të veprojë drejtësia mbi bazën e provës që ju keni kur e thoni këtë. Është njësoj sikur të them unë, ju zoti Shehaj jeni në kërkim ndërkombëtar. Po duhet të jap një provë për këtë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share