Polonia dhe vende të tjera kanë organizuar festa
Nga pjekja e biskotave të Krishtlindjeve në shtëpi deri te këndimi i këngëve me fqinjët, refugjatët ukrainas të shpërndarë nëpër Evropën Qendrore dhe Lindore po festojnë, pavarësisht shqetësimeve për të përballuar jetesën dhe frikës për të afërmit në shtëpi.
Vasili dhe Marina Khymyshynets u larguan nga një fshat pranë Kievit në mars me dy fëmijët e tyre pasi një raketë shpërtheu pranë shtëpisë së tyre. Tani ata jetojnë në një apartament me dy dhoma në Pragë, por nuk kanë mundësi që të blejnë një pemë Krishtlindjesh për këtë vit pasi po kursejnë për t’u dërguar dhurata të afërmve në Ukrainë.
“Si refugjatë, ne nuk kishim shumë mundësi të blejmë një pemë Krishtlindjesh. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të përdorim vetëm disa degë për dekorim në mënyrë që të duket mirë dhe t’i bëjë fëmijët të lumtur”, thotë Vasil Khymyshynets, refugjat nga Donbasi.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë, tashmë në muajin e tij të dhjetë, ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka shkatërruar qytetet dhe ka dëbuar miliona nga shtëpitë e tyre, me 4.5 milionë të regjistruar në të gjithë Evropën, tregojnë të dhënat nga agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR.
Shumë prej tyre janë vendosur në shtetet në kufi me Ukrainën si Rumania, Sllovakia dhe Polonia – e cila ka pritur më së shumti si dhe vende të afërta si Bullgaria dhe Republika Çeke. Polonia vendi më i madh i Evropës në zhvillim dhe që ndan një kufi afërsisht 500 kilometra me Ukrainën ka marrë më shumë se 1.5 milion refugjatë, më të shumë nga çdo vend i Bashkimit Evropian.
Serhiy Berezhko, një aktor 64-vjeçar nga Teatri Kombëtar Lesya Ukrainka i Kievit mbërriti në Poloni në mars me nënën, gruan dhe dy fëmijët e tij dhe tha se do t’i përdorte Krishtlindjet si një kohë për të falënderuar mikpritësit e tij polakë.
“Kjo është një festë kur takohen njerëzit më të dashur, më të afërt. Ndihem si personi më i afërt me këta njerëz të mrekullueshëm. Sigurisht, kjo festë është një moment kur njerëzit shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe falënderojnë për gjithçka, duke shpresuar se gjërat do të shkojnë më mirë në të ardhmen. Për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një të ardhme pa luftë, pa vdekje për popullin e Ukrainës”, thotë Serhiy Berezhko, aktor.
Ukrainasit në përgjithësi festojnë Krishtlindjet më 7 janar, por kisha ortodokse e vendit ka thënë se do t’i lejojë ritualet të zhvillohen më 25 dhjetor. Vendasit anembanë rajonit do marrin pjesë gjithashtu për të ndihmuar që sezoni i festave të jetë sa më normal që të jetë e mundur për refugjatët kryesisht gra dhe fëmijë.
GAZETARE: LIVIA KALLFA