Përgatiteni lëkurën për motin e ftohtë

Lëkura në sezonin e dimrit është shumë e acaruar, e thatë, me njolla dhe shumë e ndjeshme. Dermatologët rekomandojnë se lëkura e fytyrës dhe trupit duhet të përgatitet për sezonin e ftohtë të dimrit në mënyrë që ajo të mos pësojë ndryshime apo lëndime.

1. Mos hiq dorë nga vendosja e kremit mbrojtës ndaj diellit

Vetëm se është dimër dhe dielli nuk është i fortë apo po bie shi nuk do të thotë se  rrezet e dëmshme UV nuk ndodhen aty. Prandaj vendosni çdo ditë kremin mbrojtës ndaj rrezeve UV në mënyrë që lëkura të mos acarohet dhe të mos krijohen rrudha.

2. Si të trajtoni efektin “lëkurë pule”

Kjo është një nga gjërat më të zakonshme që i ndodh lëkurës, pothuajse te të gjithë. Ky fenomen shkaktohet për shkak të lëkurës së thatë dhe motit të ftohtë. Ajo shkaktohet në fytyrë, krahë, kofshë, vithe etj. Përdorni eksfoluesin për trupin dhe më pas vendosni shumë krem hidratues në mënyrë që lëkura të ketë lagështinë  e duhur.

3. Trajtojeni lëkurën butësisht dhe me delikatesë

Gjatë dimrit lëkura do të bëhet më e thatë dhe më e ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm. Kështu që sigurohuni që lëkura të jetë e hidratuar gjatë ditës dhe pini sa më shumë çaj jeshil pasi përmban shumë antioksidantë. Bëni një skrub të lehtë sa herë që laheni si dhe përdorni një larës delikat për fytyrën.

4. Dëgjoni me vëmendje nevojat e lëkurës tuaj

Nëse ndjeni që gjatë ditës lëkura duhet hidratuar sërish bëjeni pa u menduar. Gjatë dimrit duhet të zgjidhni maskat dhe kremrat e përshtatshme për lëkurën që ta mbrojnë nga faktorët e jashtëm.

5. Kujdesuni për buzët

Buzët e çara, të ashpra dhe të thata nuk duhen të jenë pjesë e ditës tuaj. Hidratojini ato disa herë në ditë dhe bëjini skrub 2-3 herë në javë për të larguar qelizat e vdekura. Përdorni pomada apo zbutësin e buzëve për ti mbajtur ato të buta.

6. Kujdesuni për duart

Duart janë të parat që reagojnë gjatë motit të ftohtë për shkak se janë më të ekspozuar ndaj çdo gjëje. Ato thahen, çahen dhe rrudhen përpara kohe. Për të shmangur këtë gjë duhet ti hidratoni ato pas çdo larje, të bëni skrube të shpeshta për largimin e qelizave të vdekura dhe të përdorni doreza gjatë punëve të shtëpisë ose kur dilni jashtë. Dorezat do të mbrojnë duart tuaja nga i ftohti.

7. Kujdesuni për këmbët

Këmbët thahen dhe plasariten gjatë dimrit. Futini ato në ujë të ngrohtë dhe më pas bëni një skrub të fortë për të larguar qelizat e vdekura dhe kallot e këmbëve. Më pas hidratojini ato me një krem dhe vishni çorape pambuku në mënyrë që kremi të përthithet më mirë nga lëkura. Mund të përgatisni edhe disa trajtime të ndryshme në shtëpi për rigjenerimin dhe ushqimin e lëkurës së këmbëve për ti bërë ato të buta si bebet.

8. Bëni banja relaksuese dhe ushqyese për trupin

Banjat me aroma terapi dhe vajra esencialë janë relaksuese, por në të njëjtën kohë edhe ushqyese për lëkurën e trupit. Vajrat esencial do ta bëjnë lëkurën më të butë, ndërsa një eksfoliues i trupit do të largojë qelizat e vdekura dhe do të bëjë që kremi të përthithet më mirë duke mbajtur  lëkurën më të hidratuar.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share