SHBA apel Kurtit për themelimin menjëherë të bashkësisë së komunave serbe
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Gabriel Escobar tha në një intervistë për RTS se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur në mënyrë paqësore.
“Nuk dua të paragjykoj rezultatin e negociatave, por dua të them që në kontekstin e kësaj krize, mendoj se mund të shohim jo vetëm fillimin e një zgjidhjeje, por edhe një mundësi për një dialog të ri, per kërkimin e zgjidhjeve afatgjata për këtë rajon”, ka thënë Escobar.
Ai ka përsëritur se Uashingtoni po këmbëngul tek pala kosovare për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, ndaj po kërkon mënyra për të zbatuar këtë pikë të Marrëveshjes së Brukselit.
“Për SHBA-në themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Edhe për ne është me rëndësi qe te zbatohet ky detyrim sepse ne e kemi mbështetur procesin. Asnjëra palë nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme prej këtij detyrimi, kështu që do të kërkojmë alternativa për ta bërë kete ide menjëherë realitet’, ka thënëGabriel Escobar.
Escobar tha se tashmë ka pasur bisedime me përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të biznesit, liderëve rinorë “të cilët dëshirojnë që ky komunitet të funksionojë jo vetëm për serbët, por për Kosovën dhe gjithë rajonin”.
“Imagjinoni mundësitë që ekzistojnë brenda një komuniteti që është në kryqëzimin e katër shteteve të rëndësishme ne rajon – Serbisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë, një qendër shpërndarjeje për Ballkanin e Hapur, një treg të përbashkët rajonal në kontekstin e procesit të Berlinit”, ka thënë Escobar.
Lidhur me njoftimin e Beogradit se do të kërkojë kthimin e një numri të ushtarëve në Kosovë sipas Rezolutës 1244, Escobar tha se SHBA-të refuzojnë kthimin e forcave serbe në Kosovë sepse, janë kundër militarizimit të problemit, pro dialogut.
“Serbët duhet të kthehen në institucione, barrikadat duhet të hiqen dhe të dëgjohen shqetësimet e njerëzve sepse janë “legjitime dhe në shumë raste të justifikuara. Ata ndihen të izoluar, se nuk kanë përfaqësimin dhe ndikimin e duhur në qeveri që duhet të kenë”, është shprehur ai më tej.
Escobar premtoi se SHBA-të do te marrin iniciativën kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjen e tregtisë së lirë. Sipas tij zgjidhja afatgjatë është një integrimi i gjerë evropian për të gjithë rajonin.
Klan News