ANALIZË E STRATEGJISË PËR REFORMA 2017 – 2022
Disa organizata qytetare sot i kanë publikuar gjetjet e tyre për funksionimin e institucioneve gjyqësore në vend, përkatësisht për zbatimin e Strategjisë për reforma gjyqësore, e hartuar para pesë viteve. Në përfundimet, siç tregon edhe praktika, vërehet zbatim joadekuat i ligjeve, bllokadë e ndryshimeve ligjore, transparencë e pamjaftueshme dhe procedura të ngadalshme. Organizatat joqeveritare rekomandojnë që strategjia e re t’i përfshijë mësimet e nxjerra, për shkak të cilësisë së jetës në vend, por edhe për kalim më të shpejtë në rrugën evropiane.
Kritikat të cilat për dekada me rradhë opinioni vendas dhe organizatat joqeveritare i drejtojnë në adresë të sistemit gjyqësor në vend, për shkak të ngadalësisë, jotransparencës dhe dyshimeve për drejtësi, sot u gjendën në mesin e përfundimeve të sektorit qytetar në analizën e zbatimit të Strategjisë pesëvjeçare për reforma, e hartuar në vitin 2017. Institucionet kryesisht ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit, thotë Darko Avramovski nga organizata joqeveritare “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
“Mentaliteti se ne bëjmë gjithçka ashtu siç duhet, por kemi probleme që ndikojnë nga jashtë dhe në të cilat nuk mund të ndikojmë, është ajo që na pengon t’i adresojmë problemet siç duhet. Institucionet duhet të jenë shumë më autokritike dhe të provojnë ta zgjidhin atë që është në domenin e tyre” – thonë nga OJQ.
Vlerësimi në raportet e Komisionit Evropian për reformat në Maqedoninë e Veriut është ulur nga periudha 2018-2019 në periudhën 2021-2022, ndërsa aryeja kryesore sipas Fani Karanfilovskës nga fondacioni “Soros” janë bllokadat në Kuvend.
“Neve na duket se vlerësimi më i ulët në pjesën më të madhe i referohet faktit që një pjesë e madhe e zgjidhjeve ligjore të cilat ishin të përgatitura presin në Kuvend dhe nuk janë votuar. Mendoj se arsyen për ngecjen e reformave dhe vlerësimin e ulët e kemi më shumë në vend, sesa kudoqoftë jashtë” – tha Fani Karanfillova Panovska, SOROS.
Pse Këshilli gjyqësor, organ për kontrollin e punës së gjykatësve, ka shqiptuar vetëm një vendim kundër një gjykatësi të korruptuar, edhe atë në të kaluarën, Kryetarja e sapozgjedhur vesna Dameva fajin e sheh të “pasiviteti” i qytetarëve.
“Që Këshilli Gjyqësor të mund të veprojë duhet të ketë prova dhe fakte, ndërsa këtë duhet të na e mundësojnë qytetarët. Palët janë ato të cilat mund të na thonë nëse gjykatës i caktuar ka marrë ryshfet, ndërsa kjo prej tani kur unë jam anëtare e Këshillit Gjyqësor nuk ka qenë e bazuar në fakte. Më shpesh këto janë pretendime paushalle” – deklaroi Vesna Dameva, Këshilli Gjyqësor.
Disa ambasadorë të huaj në vend, në javët e kaluara haptazi kanë vënë në dukje se shkalla e korrupsionit në vend dhe joefikasiteti i sistemit gjyqësor i pengojnë reformat demokratike dhe evropianizimin e shoqërisë. Për momentin përveç premtimeve dhe “pohimeve” të autoriteteve se është koha të shihen rezultatet e luftës së deklaruar kundër korrupsionit, nuk ka hapa të dukshëm të cilët do ta bindin opinionin se institucionet vërtetë do ta luftojnë dhe do ta dënojnë shpërdorimin e funksioneve për përfitim personal, “lidhje” gjatë punësimit, padrejtësi gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore, arsimore dhe shërbime të tjera në sektorin publik. /KlanMacedonia/
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA