Kjo është ‘mitra’ e parë artificiale në botë që lejon përzgjedhjen e tipareve të një bebeje si të lexoje një menu.
EctoLife mund të rrisë deri në 30.000 foshnja në vit dhe thuhet se është bazuar në 50 vite studimesh revolucionare, shkruan “Metro”.
Sipas themeluesit të saj, Hashem Al-Ghaili një bioteknolog dhe shkencëtar, në këtë vend prindërit që nuk kanë aftësi të riprodhohen, mund të lindin fëmijën e tyre biologjik.
Një opsion që quhet “Paketa elitare” lejon edhe përzgjedhjen e gjeneve të embrionit përpara se ai të vendoset në ‘mitër’. Gjithçka, nga ngjyra e syve, flokëve, gjatësia, forca, inteligjenca mund të përzgjidhen në paketën e 300 gjeneve që mund të ndryshohen. Veç pamjes, mund të shmangen edhe gjenet e padëshiruara të sëmundjeve gjenetike të trashëgueshme që fëmija të gëzojë shëndet të plotë.
Sipas OBSH, 300.000 gra vdesin nga ndërlikimet e shtatzënisë dhe Ectolife synon që të lehtësojë dhimbjet njerëzore, operacionet cezariane dhe lindjet e parakohshme. Gjithashtu, sipas saj, gratë që kanë hequr mitrën për shkak të kancerit apo një sëmundjeje tjetër do kenë mundësinë të bëhen nëna.
Ndërtesa ka 75 laboratorë të teknologjisë së lartë, secili me 400 ‘mitra’ brenda tyre. Secila imiton mjedisin biologjik brenda barkut të nënës dhe janë të përbëra nga një material që e mbron fetusin nga bakteret e jashtme.
Në çdo ndarje ka një ekran ku shfaqet monitorimi i të dhënave jetike të bebes ndërsa sistemi raporton edhe anormalitetet e mundshme gjenetike. Fëmija dëgjon muzikë për t’u familjarizuar me mjedisin e jashtëm apo edhe zërin e prindërve.
Dy bioreaktorë funksionojnë si kordoni umbelikal dhe lëngu amniotik në barkun e nënës. I pari largon mbetjet e prodhuara nga fetusi, ndërsa i dyti e ushqen me lëndë të personalizuara sipas nevojave të tij.
Lindja e bebes ndodh me shtypjen e një butoni.
Al-Ghaili beson se teknologjia është gati për përdorim, ndërsa janë vetëm caqet e etikës që nuk po e lejojnë të vazhdojë përpara. Ai thotë se brenda 10-15 vjetësh, kur këto pengesa të kalohen, ‘mitra’ artificiale do të jetë një nevojë globale./tvklan.al