Sulmuesi beratas i jep fitoren Granada, pranë rekordit personal
Myrto Uzuni konfirmohet lider i Granadës në La Liga 2. Sulmuesi shqiptar ishte vendimtar për skuadrën, pasi realizoi golin e vetëm dhe atë të fitores 1-0 përballë Burgos. Ishin pikërisht miqtë ata që ishin kërcënues dhe morën iniciativën për të sulmuar, por pa rezultat. Nga ana tjetër Granada tentoi të gjente rrjetën me Uzunin, por goditja me kokë e shqiptarit shkoi shumë larg portës.
Një tentativë që duket se ndihmoi 27-vjeçarin për të gjetur koordinatat e portës, diçka që e realizoi në fundin e pjesës së parë. Në kufijtë e zonës, Uzuni goditi saktë, duke i dhënë topit një trajektore befasuese për portierin për të kaluar në avantazh Granadën. Gol që mbeti në fuqi deri në fund, me Granadën që afrohet me 4 pikë me kreun e kampionatit.
Ndërkaq, ky ishte goli i 10-të për të në 19 javët e para të kampionatit, ku ka asistuar edhe në 3 raste. Një formë fantastike kjo nga ana e sulmuesit që ka rinovuar deri në 2026 me skuadrën spanjolle. Uzuni mbetet dy gola pas rekordit të arritur me Ferencvaros për numrin e golave të shënuar, 12 në një sezon të vetëm.
Klan News