Tensionet në veri, Rama: Kosova ka gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare

Teksa merr pjesë në prezantimin e projektit të Portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën në veri të Kosovës. Ai tha se qeveria e Kosovës ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Së pari dëshiroj të përshëndes kryeministrin Kurti dhe kryeministrin Kovaçevski. Të dy e patën të pamundur të ishin sot këtu për arsye angazhimesh. Në rastin e kryeministrit të Kosovës e merrni vetë me mend që pamundësia është e lidhur me situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës. Situatë në të cilën qeveria e republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë tonë dhe Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Veriu i Kosovës vijon të jetë i bllokuar nga barrikadat, ndërsa dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë janë mbyllur. Natën e djeshme janë dëgjuar sërish të shtëna me armë zjarri dhe shpërthim në Rudarë, afër Zveçanit. Serbët protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, i cili u arrestua pas dëmtimit të vendeve ku do të mbaheshin zgjedhjet në veri. Ndërkohë, shkollat në veri të Kosovës sot nuk do të jenë të hapura./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share