Ka qenë një ndeshje e tensionuar çerekfinalja Holandë-Argjentinë, që në fund, falë edhe penalltive, pa “Albiceleste”-t të kalojnë në gjysmë finale. Sfida i pati të gjitha gola, raste të shumta, grintë e deri tek sherret mes lojtarëve. Dhe duket se kjo ka zgjatur edhe pas përfundimit të ndeshjes.
Edhe futbollisti më i mirë i Argjentinës, Leo Messi, duket se nuk i ka mbajtur dot nervat. Ai e ka quajtur sulmuesin e Holandës, Wout Weghorst, “budalla” pas ndeshjes.
Messi ishte duke folur për një gazetar pas ndeshjes. Kur Weghorst ka kaluar pranë tij, sulmuesi argjentins është ndalur dhe iu drejtua kundërshtarit.
“Çfarë ke që shikon, budalla? Ik, largohu që këtu”, i thotë ai.
Ndërkohë gazetari mundohet të qetësojë sulmuesin argjentinas.
Ndërkohë më tej, Messi “thumboi” edhe trajnerin e Holandës, Louis van Gaal. “Van Gaal thotë që luajtën futboll të bukur, por nuk bënë asgjë tjetër veçse futën lojtarë të gjatë dhe gjuajtën topa lart”, u shpreh Messi.
Argjentina shpreson që të ngrejë në qiell trofeun e shumëdëshiruar nga të gjithë. Më 13 Dhjetor ata do të përballen me Kroacinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës./tvklan.al