Humbi 25 kg për 30 ditë, studentja e diagnostikuar me sëmundjen e pashërueshme: Hëngra dy kafshata përpara se…

Një studente aktrimi hëngri vetëm dy kafshata nga darka e Krishtlindjes përpara se të shtrembërohej nga dhimbjet dhe të dërgohej menjëherë në spital, ku iu tha se organet e saj po merrnin fund.

20-vjeçarja Lucy Harman nga West Sussex ishte në vitin e parë të universitetit kur nisi të humbiste peshë drastikisht, por edhe pse kishte frikë se mund të ishte një sëmundje serioze, nuk tha asgjë, ndërsa kishte rënë 25 kg në 30 ditë. Ajo shpjegon se vuri re që diçka nuk shkonte kur nisi universitetin në Shtator 2020.

“Sapo kisha nisur universitetin kur nisa të ndihesha e lodhur gjithë kohës dhe villja ushqimin. Më dhimbte shumë barku dhe kisha gjakderdhje, ndërsa simptomat u përkeqësuan”, thotë ajo për “The Independent”.

Pavarësisht kësaj, Lucy nuk i tregoi askujt se çfarë po kalonte. “Mendoj se e mohoja. I thashë vetes se ishte për shkak se ushqehesha keq apo stresit nga universiteti. Por thellë-thellë, kisha frikë se ishte serioze, isha e tmerruar, e injorova dhe shpresova se do të shërohej”.

Ajo u kthye në Southampton për të kaluar Krishtlindjet me familjen, ku ishte e gëzuar që do të takonte gjyshërit, ndaj edhe vijoi të mos kërkonte ndihmë mjekësore.

“Ditën që takova gjyshërit, u ndieva e çliruar, sikur trupi im mund të dorëzohej në çdo moment. Isha shumë e dobët dhe kur u ulëm të hanim darkë, më dridhej trupi. Hëngra dy kafshata përpara se të më binte të fikët në divan”.

Menjëherë, Lucy u dërgua në spital dhe kur u zgjua i thanë se vuante nga kequshqyerja dhe dehidratimi. “Iu desh një kohë e gjatë të më gjenin venat sepse ishin tkurrur plotësisht. Pasi më kontrolluan, më thanë që organet e mia po vdisnin për shkak të presionit, zorrët ishin gati për t’u çarë dhe stomaku nuk funksiononte si duhej”.

Pas skanerit, 20-vjeçarja u diagnostikua me sëmundjen Crohn, që do të thotë se pjesë të sistemit tretës acarohen dhe kjo e shoqëron pacientin përgjatë gjithë jetës së tij.

“Që trupi im të pushonte, më vendosën një tub ushqimi për 6 muaj përpara se të mundja të haja vetë. Por më duhet që të ha ushqime të thjeshta si pula apo orizi që mos ta irritoj stomakun”.

Këtë rrugëtim të sajin, Lucy e ndau me ndjekësit në Tik Tok, prej të cilëve ka marrë komente pozitive, ndërsa dikush i ka shkruar se “i ka shpëtuar jetën”. Ndjekësi i ka sqaruar se ka kryer vizita mjekësore prej historisë së saj dhe u diagnostikua me kancer në zorrë, i cili u mposht falë kapjes në kohë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share