Presidenti i Turqis, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se eksportet e vendit të tij po thyejnë rekorde çdo muaj, tha se shifra totale e eksportit i afrohet pragut prej 300 miliardë dollarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Erdogan dërgoi një video-mesazh në “Samitin Turqi 2023 dhe Bisedimet për Paranë” organizuar nga “Turkuvaz Medya” në Istanbul.
Duke theksuar se bota në 3 vitet e fundit kalon nga një periudhë e dhimbshme që është komplikuar më tej duke filluar nga pandemia e më pas vijuar nga konflikte dhe tensione rajonale, Erdoğan tha se çmimet e energjisë, ushqimeve dhe lëndëve të papërpunuara, të cilat kanë arritur shifrat më të larta në vitet e fundit dhe problemi i inflacionit që ka lindur lidhur me këtë, i kanë detyruar të gjitha ekonomitë pa bërë asnjë dallim.
Sipas tij, Turqia, falë infrastrukturës solide dhe me anë të modelit ekonomik të bazuar në prodhim, punësim, eksportet dhe rritjes së bazuar në suficit, është një nga vendet që e ka përjetuar relativisht rehatshëm këtë periudhë të trazuar.
“Eksporti ynë është duke arritur në pragun e 300 miliardë dollarëve duke thyer rekorde çdo muaj. Zonat tona industriale, fabrikat, uzinat e prodhimtarisë punojnë pa ndalur. Udhët dhe autostradat tona janë të stërmbushura me maunë dhe kamionë që bartin mallra nga vendi ynë në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme”, tha ai.
Ai shtoi se Turqia, si një vend më i ndikuar në turizëm nga pandemia, ka shkuar përtej kompensimit të humbjeve në këtë sektor, ndërsa në punësim për herë të parë ka arritur sukses të tejkaloj shifrën 31 milionë.
Erdoğan, mes tjerash, numëroi projekte të shumta që ka kryer vendi i tij, duke përfshirë automobilin e parë prodhim vendas Togg, centrale hidroelektrike, diga dhe të tjerë.
Presidenti turk foli edhe rreth gazit prej 540 miliardë metra kub të zbuluar në Detin e Zi, duke shtuar se vazhdojnë punimet pa ndaluar që ky burim i energjisë t’i vihet në dispozicion të qytetarëve të vendit.
“Me ndikimin e masave që kemi marrë, shpresojmë që duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm do ta ‘thyejmë’ inflacionin”, theksoi Erdogan, duke folur rreth inflacionit që ka zënë pjesë në axhendën e shumë vendeve përfshirë Evropën dhe Amerikën.
Rreth industrisë së mbrojtjes të vendit të tij, ai tha se niveli që ka arritur ky sektor në një kohë të shkurtër është bërë një nga burimet e krenarisë së popullit.
“Gjersa në vitin 2002 patëm vetëm 248 milionë dollarë eksport të industrisë së mbrojtjes, vitin e kaluar kemi thyer rekord me 3 miliardë e 224 milionë dollarë. Këtë vit presim një shifër prej mbi 4 miliardë dollarë të eksportit”, shtoi Erdogan.