8 Dhjetori i 2022-shit shënon 32 vite nga krijimi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990.
Kjo datë, “Dita e Rinisë” në Shqipëri është festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990.
Kjo ditë është historike pasi që nga data 8 deri në datën 12 të vitit 1990, kjo lëvizje solli pluralizmin politik. Ishte një lëvizje që në një mënyrë ose në një tjetër ndryshoi sistemin në Shqipëri dhe i dha fund një epoke 46-vjeçare.
Dhjetori i 1990-s mbetet një nga momentet me shumë pikëpyetje, por edhe një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që solli ndryshimin. Ishte një moment transformimesh të mëdha dhe një sërë faktorësh filluan të lëvizin.
Nga 8 Dhjetori filluan një seri protestash të paorganizuara dhe njerëzit kuptuan se ata që ishin kundër regjimit ishin më tepër se sa ata që kërkonin ta mbronin atë sistem. Protesta nisi me pak studentë në “Qytetin Studenti” dhe më pas u bë masive. Protesta ishte paralajmëruar që paradite, për arsye se kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani, kishte lajmëruar se dritat, që mungonin prej shumë ditësh në “Qytetin Studeti” në orën 21:00, do të lidheshin.
Por në këtë orë, studentët e parë dalin nga godinat drejt qendrës së “Qytetit Studenti”. Me kërkesë të disa studentëve, Azem Hajdari u shpall lideri i tyre. Studentët nisën të zbresin, por pikërisht pas Ambasadës italiane, grupi i studentëve u bllokua nga forcat e policisë. Rreth mesnatës, protestës së 8 Dhjetorit i bashkohen edhe të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes që po zhvillohej në Institutin e Lartë të Arteve. Bashkë me ta ishte edhe Robert Stringa, i cili me kameran e tij filmoi disa pamje të 8 Dhjetorit.
Përveç dy parrullave “Tirana është me ne” dhe “Largoni policinë” kishte edhe parrulla politike. Studentët mbetën rreth 2 orë të bllokuar nga policia, duke kërkuar një kusht të vetëm, negocim me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alia. Në atë moment mbërrin lajmi se Presidenti i priste në një takim në Korpusin e Universitetit. 13 studentë të prirë nga Azem Hajdari nisen në takim me Presidentin Alia. Në këtë moment Azem Hajdari u thotë studentëve:
“Qëndroni 45 minuta, nëse ne nuk kthehemi, atëherë nuk do të kthehemi kurrë. Ju vazhdoni protestën dhe thërrisni studentët e tjerë”.
Të 13 studentët hipën në një mikrobus pa e ditur se ku po shkonin dhe gjejnë në Korpusin e Universitetit Presidentin e vendit, i cili ishte i predispozuar për të gjetur një zgjidhje. Studentët e mbledhur prisnin që 13 studentët të ktheheshin nga takimi me Presidentin, për të marrë vesh ç’kishte ndodhur. Presidenti i kishte garantuar ata se nuk do të kishte dhunë.
Kur studentët bashkohen me të tjerët, Azem Hajdari hipën mbi shpatullat e dy studentëve të tjerë për t’i njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Në atë moment një polic bërtet:
“Më vodhën pistoletën”.
Kjo thirrje, e cila ishte jo reale, do të provokonte dhunën ndaj studentëve. Ishte një moment i tmerrshëm dhe një prej studentëve iu drejtua Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai duke i thënë:
“Ramiz Alia na premtoi se nuk do të kishte dhunë!”.
Por përgjigja ishte e menjëhershme:
“President këtu jam unë!”
Një dhunë e tmerrshme filloi ndaj rreth 1000 studentëve që ndodheshin aty, të cilët u tërhoqën drejt “Qytetit Studenti”. Por policia nuk ndërhyri në “Qytetin Studenti” dhe kjo i la hapësirë studentëve të organizonin me qetësi se çfarë do të bënin të nesërmen. Mëngjesin e datës 9 Dhjetor, një grup studentësh bëhen bashkë dhe në mencën e “Qytetit Studenti” listojnë një sërë pikash drejtuar Presidentit Ramiz Alia. Ndërkohë, disa prej pedagogëve kishin filluar të mbështesnin studentët në mënyrë direkte, apo indirekte.
Një grupim studentësh të Institutit të Lartë të Arteve, të pakënaqur me mënyrën se si Shqipëria po ecte përpara, po bëhej një lloj promotori për të tërhequr pas strukturat studentore të asaj kohe.
Rreth orës 09:00 të datës 9 Dhjetor, studentët braktisin mësimin dhe nisen sërish drejt qendrës së qytetit. Forcat e policisë nuk ishin të përgatitura, pasi pas dhunës së një nate më parë, menduan se ata nuk do të dilnin sërish. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që grupet e protestuesve të riktheheshin të nesërmen. Por duket se studentët kishin vendosur. Në rrugën e Elbasanit sërish bllokohen nga forca të shumta policie për rreth 2 orë. Për të shmangur bashkimin e studentëve me mijëra tifozë, që do të ndiqnin ndeshjen Tirana-Partizani, forcat e policisë ndërhyjnë egërsisht.
Vetëm pak minuta më pas, ai grupim studentësh ishte shpërndarë, por ishte një fitore shumë e madhe, sepse studentëve që banonin në konvikte të ardhur nga rrethet iu ishin bashkuar edhe studentët e Tiranës, të cilët ishin më të vendosur se kurrë që të rezistonin për të sjellë një sistem të ri politik. Të gjithë u bënë thirrje familjarëve dhe qytetarëve për t’iu bashkuar dhe protesta e studentëve dukej se nuk kishte më kthim pas. Strukturat e Partisë së Punës kishin filluar të shkërmoqeshin, studentët e Akademisë Ushtarake refuzuan të qëllonin studentët dhe një pjesë e intektualëve të kohës nisën të bashkohen me ta, por nuk mundën për shkak të gardhit të policisë së përforcuar.
Ndër intelektualët që u ulën në shkallët e Akademisë së Arteve për të ndjekur protestën ishte edhe mjeku Sali Berisha, i cili kërkonte hapjen më tej të Shqipërisë. Ndërkohë që Azem Hajdari ishte bërë lideri i lëvizjes së studentëve, familja e tij në Tropojë nuk dinte asgjë. Kur gruaja e tij kthehet nga puna i thonë se në shtëpinë e saj policia kishte bërë një kontroll të imtësishëm.
Mëngjesin e 10 Dhjetorit, Lëvizja Studentore u shndërrua në një lëvizje masive popullore. Shumë qytetarë të Tiranës i ishin bashkuar studentëve në “Qytetin Studenti” dhe mbështesnin kërkesat e tyre, të cilat ishin afishuar në mencë dhe kinoteatër.
I informuar për atë që po ndodhte, Ramiz Alia vendos të përdorë të gjitha mundësitë për të arritur negociatat me studentët. Ai vendos Sali Berishën që të negociojë me Azem Hajdarin, duke ditur që edhe ai ishte nga Tropoja. Berisha shkon në shtëpinë e Ramiz Alisë dhe më pas tek studentët, por nuk arrin negociata. Në të vërtetë, Berisha, i cili do të bëhej edhe zëvendësuesi i Ramiz Alisë në postin e Presidentit, e ka mohuar këtë bisedë.
Mëngjesin e datës 11 Dhjetor 1990, më së fundmi ishte vendosur që Alia do të priste 30 studentë në Pallatin e Brigadave. Po atë paradite, në një sallë të pallatit Ramiz Alia kishte mbeldhur pleniumin e Komitetit për të vendosur shpalljen e pluralizmit politik, që duhet ta kishte si kartë në takimin e studentëve.
Në këtë mënyrë, ai do t’i hiqte studentëve pikën kryesore. Ishte një moment kaosi, pasi thuhej se ata po kërkonin të shtypnin studentët. Studentët nisen në Pallatin e Brigadave rreth orës 17:30 të përgjysmuar nga numri fillestar që ishte 60 persona.
Pas disa ditësh protesta të vazhdueshme Presidenti i vendit, Ramiz Alia pret në pallatin e Brigadave një përfaqësi studentësh prej 30 personash për të negociuar pasditen e 11 Dhjetorit. Studentët duket se kishin të qartë platformën që do të ndiqnin. Biseda mes tyre vijoi për rreth 2 orë, por asnjë nga televizionet nuk dha ndonjë njoftim, por befas në edicionin e orës 20:00 ndërkohë që studentët ishin në takim me Presidentin, TVSH jep lajmin e parë rreth takimit.
Ishte e admirueshme mënyra dhe toni i zërit me të cilin ata u përballen me Presidentin dhe arrijnë për herë të parë pas 50 vitesh të ndajnë Presidentin e Shtetit nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës. Pas kësaj bisede, Ramiz Alia ishte i vetmi person që kupton se për partinë e tij do të vinin ditë të vështira që më vonë do ta shkatërronin dhe transformonin Partinë e Punës në Parti Socialiste në vitin 1991.
Takimi i studentëve me Presidentin më 11 Dhjetor u cilësua si një akt mjaft i guximshëm dhe moment i rëndësishëm që kishte sjellë jo vetëm thelbin e ndryshimit për historinë e Shqipërisë. Situata në mbrëmjen e 11 Dhjetorit ishte e tensionuar në “Qytetin Studenti” dhe e tillë ishte edhe në shumë qytete të vendit. Njërëzit kërkonin një ndryshim të menjëherëshëm më të shpejtë dhe më evidente se sa hapin e parë drejt pluralizmit politik. Një profesor i quajtur Leka Bezhani bën thirrje që askush të mos largohej dhe askush të mos shkonte në shkollë derisa njeriu që urdhëroi dhunën, Hekuran Isai të jepte dorëheqjen.
Kjo deklaratë e Bezhanit gjen mbështetjen e studentëve. Ndërkohë Sali Berisha, Gramoz Pashko apo Preç Zogaj dhe intelektualë të tjerë mbyllen në një dhomë në “Qytetin Studenti” për të menduar se çdo të bënin më pas. Një ditë më pas në shumë qytete të vendit fillojnë protestat masive që kaluan në akte dhune. Ata u drejtuan drejt librarive që kishin librat e Enver Hoxhës.
Në të gdhirë të datës 12 Dhjetor, studentët dhe shumë njerëz të tjerë u nisën në drejtim të qytetit, ndërsa një pjesë e vogël studentësh së bashku me intelektualë të tjerë, vendosën të takoheshin për krijimin e programit minimal të Partisë Demokratike, një partie që u anonçua se do të shpallej në orën 16:00. Të gjithë sëbashku shkojnë në shtëpinë e Gramoz Bashkos, i cili kishte në shtëpi një kompjuter dhe hartojnë programin. Dhe pikërisht në orën që ishte paralajmëruar në një tribunë të improvizuar dhe përpara një deti njerëzish u bë deklarimi i kësaj partie që kishte në të tre shtresa, studentë, intelektualë dhe punëtorë.
Pas këtij momenti filloi një epokë e re ku pjesa më e madhe e atyre që e gjenin veten në krah të PD kishin filluar të angazhoheshin për propagandimin dhe shtrirjen e kësaj partie. Por edhe pse kjo parti fitoi qytetet e mëdha, ishte tejet e vështirë për një pjesë të mirë të qyteteve, të cilët nuk pranonin në mënyrë kategorike t’iu flitej për krijimin e një partie të re.
Në godinën 15, e cila ishte edhe rezidenca provizore e PD, kishin filluar të vinin plot intelektualë, por edhe njerëz të cilët donin ta testonin shancet e kësaj partie drejt pushtetit. Pas një mungese 5 ditore të çuditshme shkon në “Qytetin Studenti” edhe një personazh tjetër, Edi Rama, i cili ishte i njohur për pikëpamjet e tij kundër regjimit të asaj kohe. Ai nuk qëndron më shumë se 30 minuta në rezidencën provizore të PD dhe tërheq derën për të mos u kthyer më kurrë. Ai u evidentua që në atë kohë si një nga kundërshatarët më të mëdhenj të PD. Në vend fillojnë protesta të dhunshme dhe e ndodhur në këto kushte, PD nuk di nëse duhet t’i mbështesë apo të mbaj një qëndrim kundër.
Por ndërkohë që PD si parti e re tentonte të krijonte strukturën, kishte nisur edhe konkurenca dhe evidentoheshin ata që do të ishin liderët e ardhshëm dhe grupimet që mbështesnin njërin apo tjetrin. 50 ditë më vonë Sali Berisha do të zgjidhej kryetari real i Partisë Demokratike.
Në Tiranë, por edhe në rrethe PD fillon të shihet si shpresa e vetme e shqiptarëve, ndërkohë që kishte edhe një mbështetje shumë të madhe nga ata që mund të quheshin intelektualë të moderuar. Por në momentet e para të krijimit, Partisë Demokratike i duhej të përballej me Partinë e Punës që ishte forca kryesore në vend dhe që po përpiqej ta bllokonte dhe nga ana tjetër i duhej të përballej me grupimin që kryesohej nga Edi Rama. Kjo lëvizje e re kërkonte lirimin e të burgosurve politikë, rishikimin e figurës së Enver Hoxhës dhe një sërë kërkesash të tjera, gjë që e vendos Partinë Demokratike në situatë të vështirë.
Ndërkohë në Veri të Shqipërisë, në Shkodër Dom Simon Jubani, i cili kishte vuajtur prej 32 vitesh burgimin komunist, kishte vendosur të organizonte Krishtlindjet në mbështetje të kësaj rinjgjallje shpirtërore të shqiptarëve. Nuk kishte asnjë objekt kulti, por Dom Simon Jubani arrin të organizojë një festë ku do të mblidheshin mijëra persona dhe do të merrnin pjesë jo vetëm katolikët, por edhe myslimaët, ortodoksët dhe mijëra njerëz të tjerë nga e gjithë Shqipëria./tvklan.al