Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte entuziast mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor krahasuar me disa vite më parë, përpara agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Në radhë të parë dua të falënderoj mikpritësin, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky ishte një samit vërtet i rëndësishëm i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të mos harrojmë u bënë gati 20 vjet që kur vendosëm së bashku në Selanik që këto vende të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian, por nuk jemi aty ku e imagjinonim në atë kohë. Unë jam mjaft i sigurt se ka lindur një lëvizje e re gjithëpërfshirëse. Skepticizmi që u formulua disa vite më parë nga disa shtete anëtare të BE-së tani ka ndryshuar, gjë që dëshmon një gatishmëri për ta shtyrë procesin e zgjerimit në mënyrë aktive përpara”, u shpreh Scholz.
Sholz shprehet se është lënë mënjanë skepticizmi i viteve më parë.
“Mendoj se ky ishte një takim i mirë, një moment historik i rëndësishëm për vetë rajonin, një shenjë e madhe shprese dhe sigurisht edhe diçka që bazohet në të gjithë progresin që kemi bërë ndërkohë, i cili mbetet i mundimshëm, por janë të nevojshme. Thjesht dua t’ju kujtoj bisedimet që tashme kanë nisur me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë. Ne e shtymë atë proces përpara sepse u desh shumë kohë”, tha ai.
Macron, Sholtz dhe Rutte u takuan në kryeqytetin shqiptar Tiranë për një samit ku synimi ishte që të sigurohej një e ardhme më e mirë për rajonin mes frikës së rritjes së ndikimit rus dhe kinez. Kryeministri holandez deklaroi se procesi i zgjerimit kërkon kohë, por po ecet në drejtimin e duhur. Një mbështetje të veçantë ka dhënë edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Jam shumë e kënaqur me samitin e Tiranës. Ju e dini sa i rëndësishëm është për Italinë, Ballkani Perëndimor nga pikëpamja historike e bashkëpunimit ndër vite me ëto shtete. Ministri i Jashtëm Tajani po luan një rol të rëndësishëm sidomos në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kam folur më presidentin serb dhe kryeministrin shqiptar për çështjet e bashkëpunimit rajonal. Ballkani Perëndimor është edhe një çështje për sigurinë e Bashkimit Europian. Nuk kam parë kundërshti të mëdha për integrimin e Shqipërisë në BE. Integrimi i Ballkanit perëndimor është çështje strategjike”, tha ajo.
Në takimin e Tiranës u trajtua ndër të tjera lehtësimi i vizave, hapat konkretë të mëtejshëm nga shtetet individuale për anëtarësim, shkëmbimi i studentëve dhe rënia e tarifave të roaming.
Klan News