Kjo javë ka qenë me lajme shumë të mira. Kështu u shpreh zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një interviste për Klan News pas samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas saj, pjesa e investimeve hekurudhore për Korridorin VIII të përfshihet në korridoret bërthamë të Bashkimit Europian. Një tjetër gjë që është diskutuar ditën e sotme në samit ka qenë edhe kriza energjetike.
“Për të thënë të drejtën ka qenë një javë plot me lajme të mira. Kemi marrë lajmin dje që është marrë vendimi që Korridori VIII pas shumë e shumë përpjekjesh e gjithë pjesa e investimeve hekurudhore të përfshihet në korridoret “core” të BE, pra në korridorin Ten-T. Sot është folur gjerë e gjatë për energjinë duke qenë se është pjesa më e prekshme e krizës, e cila ka ndikuar jetën e qytetarëve pothuajse në të gjithë Europën. Janë shumë pak vende që e kanë mbrojtur qytetarin plotësisht siç është Shqipëria, ku qytetarët dhe bizneset e vogla nuk e kanë ndjerë për asnjë moment krizën për shkak të mburojave sociale që janë aktivizuar. Kështu që ne me transhin e parë, me atë që presidentja e Komisionit ka deklaruar pak muaj më parë kemi përfituar 85 milionë që janë injektim direkt në buxhetin e shtetit, për t’u përdorur për importet që do të kemi në të ardhmen”, u shpreh Balluku.
Më tej ajo shtoi: “Në paketën e dytë, zhvillohet përmes fondeve të ËBIF, ku secili nga 6 shtetet duhet të konkurrojë me projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të shtuara të energjisë së rinovueshme dhe që kanë të bëjnë me eficencën e energjisë. Kemi marrë pjesë me 3 projekte kryesore që është pajisja e 25 mijë kabinave me ‘smart meters’ që do të bëjë uljen e humbjeve teknike në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kemi marrë pjesë gjithashtu me rritjen e numrit të abonentëve që duan të kenë panelin e ngrohjes së ujit, pra me 20 mijë abonent. E treta është ndërtimi i një parku fotovolkaik 50 megavat orësh në zonën e Belshit në pronësi të KESH. Sot kemi marrë një lajm shumë të mirë që ishte totalisht i papritur pavarësisht se kishim shumë kohë që diskutonim me komisionin dhe me BE-në që kanë vendosur të mbështesin edhe ndërtimin e pjesës së parë të tubit transmetues të gazit për, le të themi, gjatësinë e projektit Adriatiko-Jonian, por që është pjesa nga Vlora deri në exit point e Fierit. Nga terminali i lundrueshëm i Vlorës për në exit point e Fierit, ku janë 33 km dhe është pjesa më e rëndësishme për territorin shqiptar”.
Sa i përket situatës hidrike në vend, Balluku theksoi se është e qëndrueshme.
“Për momentin situata hidrike është e qëndrueshme. Nuk und ta quaja optimale pasi niveli i Fierzës sot është 280 metra. Do donim ta kishim më shumë, por prodhimi vendas plotëson të gjithë nevojën për momentin. Nuk jemi në kushtet e eksportit pasi prodhimi vendas po mbulon një nevojë të rritur duke qenë se ditët e fundit temperaturat kanë rënë dhe ka një efekt momenti, duke qenë se jemi në Dhjetor dhe ka një shtim të aktiviteteve përgjithësisht, edhe ndriçimeve festive etj etj, por ne besojmë sipas të gjitha parashikimeve që vijnë nga sateliti që gjatë datave 12 dhe pas asaj date do të ketë prurje të reja në Liqenin e Fierzës pasi do të kemi një event të rëndësishëm me reshje në zonën e Kukësit etj”, u shpreh ajo./tvklan.al