Botërori 2022 | Harry Kane kalon Lineker

Gol me peshë ndaj Senegalit, Harry Kane në histori, tejkalon rekordin e Gary Lineker

Anglia vijon të jetë një kockë e fortë në Kupën e Botës në Katar 2022. Tre Luanët nuk kanë humbur në asnjë nga katër duelet e para, 3 fitore dhe një barazim, kjo falë edhe kapitenit, Harry Kane. Sulmuesi shfaqet pak në fushën e lojës, por me golin e shënuar ndaj Senegalit shënon emrin në listën e artë të kombëtares angleze.

Futbollisti i Tottenham Hotspur realizoi kundër afrikanëve për 2-0 dhe kaloi një legjendë si Gary Lineker. Tashmë, Kane ka shënuar golin e 11-të me kombëtaren në dy kompeticionet më të mëdha të futbollit, Europian dhe Botëror. 29-vjeçari ka festuar 7 herë gol në Kupë Bote, ndërsa 4 të tjerë në Europian, duke lënë pas kështu Lineker me 10 gola.

Por ky nuk është rekordi i vetëm që anglezët kanë vendosur deri më tani. Asnjë prej lojtarëve anglezë nuk është ndëshkuar me karton të verdhë. Anglia është e vetmja skuadër që nuk ka marrë asnjë karton në duelet e luajtura ndaj Iranit, SHBA, Uellsit dhe Senegalit.

Një statistikë e rrallë dhe lajm i mirë për trajnerin Southgate, i cili do i ketë të gjithë të gatshëm për finale ndaj Francës. Sipas rregullores, dy kartonë të verdhë sjellin pezullimin me një ndeshje, por kartonët zerohen pas fazës çerekfinale të Kupës së Botës, aty ku mungesa në takimin pasardhës ndodh vetëm nëse merret kartoni i kuq.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share