Persona me aftësi të kufizuar ka në çdo vend të botës dhe në të gjitha nivelet e çdo shoqërie. Numri i personave me aftësi të kufizuar në botë është i madh dhe në rritje. Mbi një miliard njerëz, apo rreth 15% e popullsisë së botës, kanë një formë të aftësisë së kufizuar, nga të cilat mbi 200 milionë janë fëmijë. Në përputhje me terminologjinë e Kombeve të Bashkuara dhe konceptet e Mundësive të Barabarta të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në përputhje me kategorizimin ndërkombëtar të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), termi “person me handikap” është zëvendësuar me termin “Person me Aftësi të Kufizuar” (individualisht) dhe “Persona me Aftësi të Kufizuara” (në nivel shoqëror).
Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK),3 Dhjetori, synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, ekonomike e kulturore. Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (ICF) e përcakton aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes. Dëmtimi; është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës së tij, (funksionet fiziologjike apo psikologjike apo pjesët anatomike të trupit). Aftësia e kufizuar është jashtëzakonisht e larmishme.
Aftësia e kufizuar nuk është kështu vetëm një problem shëndetësor. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si edhe personat jo me aftësi të kufizuara. Por ata gjithashtu janë më të prekshëm nga një sëmundje apo një problem shëndetësor, si për shkak të varfërisë, për shkak të përjashtimit social, gjithashtu edhe për shkak se ata mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet sekonadre, të tilla si plagë apo infeksionet e tjera. Provat tregojnë se njerëzit me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në aksesin për shërbime shëndetësore dhe rehabilituese për të cilat ata kanë nevojë për më shumë hapësirë. A është Aftësia e kufizuar është çështje perceptimi?! Pikërisht në këtë ditë përfaqësuesit qeveritar dhe joqeveritar “rrahin gjoks“ me terminologji dhe fraza si: gjithpërfshirje, inkluzion, aftësi e kufizuar, ndërgjegjësimi i publikut, thyerja e paragjykimeve, zgjidhja e problemeve dhe situatave të personave me aftësi të kufizuara, raportimi pozitiv mediatik, krijimi i një imazhi pozitiv për njerëzit me aftësi të kufizuara e shumë të tjera. Por, shkohet edhe në kronika të viktimizimit të tyre në skajshmëri ose të “heroizmit” të tyre deri në qiell.
Asnjëra nga këto nuk ndihmon, vetëm i stigmatizon akoma më shumë. Gjithçka tingëllon shumë inkurajuese, se ndërgjegjësimi për nevojat e personave me aftësi të kufizuara po ndryshon dhe se ata do të ndeshen me një qasje krejtësisht të ndryshme në të ardhmen, veçanërisht në ngjarjet me këtë temë. Fatkeqësisht, praktika e të folurit për personat me aftësi të kufizuara dhe nevojat e tyre është thjesht retorikë boshe. A janë personat me aftësi të kufizuara vetëm një mjet për përdorimin e fondeve të donatorëve vendas dhe të huaj dhe të njëjtët njerëz zakonisht lihen mënjanë, apo duhet të përfshihen aktivisht me kontributin e tyre në zhvillimin e strategjive dhe shkëmbimin e përvojave për një përfshirje më të mirë?
A duhet të përjashtohen nga takimet, evenimentet shoqërore dhe politike, apo duhet të perceptohen si aktorë aktivë të një shoqërie moderne, ku lirisht mund të funksionojnë? Shkatërruese është praktika e një pjese të sektorit të OJQ-ve që sheh vetëm fitim nga përdorimi i shprehjes promovim të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, për të cilën organizohen fushata për të nxitur ndërgjegjësimin e publikut dhe të menduarit e qasshmërisë, për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në proceset aktive të shoqërisë. Por edhe të organizojnë ndonjë event ku një person me aftësi të kufizuar nuk mund të marrë pjesë. Ironike apo jo. Nuk mund ta fsheh paaftësinë time dhe kjo nuk është çështje perceptimi.
Me këtë lloj JOmbështetjeje, ne nuk do të ndryshojmë ndërgjegjësimin për nevojat dhe aftësitë e personave me aftësi të kufizuara. Të gjithë kanë nevojë për partnerë në betejat e tyre, dhe në këtë “Revolucion” tonë nuk i kemi patur kurrë partnerët e duhur. Bukurinë time e gjen në vullnetin tim, veçantinë time e konsideroj si përparësi. Nëse një shoqëri/shteti nuk mund ta perceptojë individin që qëndron pas kufizimeve dhe ta kultivoj atë person për të mirën e vet, atëherë është shoqëria/ shteti me aftësi te kufizuara, dhe jo individi.
Të jemi gjithpërfshirës të përqafojmë dallimet çdo ditë jo vetëm në Ditën Botërore të Personave me Aftësi Kufizuara. MY ABILITY IS STRONGER THAN MY DISABILITY!
Luljeta Ademi Klica (Ambasadore Kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe Gjithëpërfshirjes)