Vladimir Putin ka rënë nga shkallët në rezidencën zyrtare dhe është lënduar ndërsa vazhdon të vuajë nga kanceri, sugjeron një kanal në Telegram që pretendon se ka lidhje me truprojat e tij.
Udhëheqësi 70-vjeçar rus, shëndeti i të cilit është përkeqësuar dukshëm që kur nisi luftën në Ukrainë, u rrëzua të mërkurën në mbrëmje kur rrëshqiti duke zbritur shkallëve të shtëpisë në Moskë, pretendon kanali General SVR.
Gjenerali SVR ka postuar përditësime në lidhje me shëndetin e Putinit që nga fillimi i luftës, megjithëse nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tija që vërtet ka lidhje me rojet e tij.
“Ngjarja ndodhi para truprojave të presidentit, të cilët reaguan shpejt dhe nxituan në ndihmë të Putinit. Tre oficerë sigurie ndihmuan presidentin të shkonte në divanin më të afërt dhe thirrën mjekët që ishin në detyrë në rezidencë”, shkruan ai.
Kanali tha se mjekët ‘erdhën brenda pak minutash, por nuk mundën të ekzaminonin menjëherë presidentin. Kjo ishte për shkak se ai vuante ‘onkologjinë e traktit gastrointestinal, si rezultat i së cilës ai tashmë përjeton probleme serioze me tretjen’ – dhe rënia shkaktoi një ‘defekt të pavullnetshëm’, raporton dailymail.
“Para ekzaminimit, mjekët e shoqëruan presidentin në tualet dhe e ndihmuan të pastrohet”, shkruante në raport dhe shtoi, “Pas një ekzaminimi të plotë, u diagnostikua një mavijosje e koksikut dhe indeve të buta. Asgjë kritike nuk u diagnostikua dhe mavijosja u trajtua me qetësues. Putin urdhëroi të kryhen hetime se pse erdhi deri tek rrëzimi. Ai vesh këpucë të veçanta, edhe në shtëpi, me veshje kundër rrëshqitjes dhe shkallët në rezidencë konsiderohen ‘të sigurta’”.
Pavarësisht raportimeve, Putini u filmua dhe u fotografua duke vizituar një laborator në Moskë të nesërmen pa shenja të dukshme lëndimi.
Spekulimet për shëndetin e Putinit janë përhapur që kur urdhëroi trupat përtej kufirit të Ukrainës më 24 shkurt.