Vrasja e gruas shtatzënë mbledh krerët e shtetit të Kosovës

Pas vrasjes së gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë, presidentja Vjosa Osmani ka thirrur për sot mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Siç shkruan Klan Kosova, në këtë takim ku do të marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, pritet të dilet me qëndrime konkrete për masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e dukurisë së vrasjes së vajzave dhe grave në Kosovë.

Osmani tha për mediat vendase se si shtet dhe shoqëri ‘jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet’.

“Në këtë takim përveç liderëve institucionalë do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura. Në agjendë janë dy pika konkrete: E para, secili institucion të jetë në inputin e vet lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin tonë për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta do të dalim me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalojmë këto akte të dhunës dhe këtë femicid sa më urgjentisht që të jetë e mundur. Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nënë ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, tha Osmani.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share