Fakti sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë se shpërqendrimi i shoferit për shkak të përdorimit të telefonit celular paraqitet arsye për thuajse një të katërtën nga të gjitha aksidentet në trafik, shumë qartë na dëshmon se disa mjete teknologjike moderne thjeshtë nuk mund të shfrytëzohen gjithkund dhe në çdo rast, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Është më se evidente se ballafaqohemi me një potencial dhe fenomen të ri shumë të rrezikshëm i cili në pajtim me shqyrtimet statistikore dhe analitike ka kapacitet të një kërcënimi shumë të madh dhe serioz, çmimi i të cilit janë fatkeqësitë dhe tragjeditë njerëzore”, e definoi rrezikun e përdorimit të telefonave celularë Spasovski në fjalimin e tij në takimin shkencor me temë “Mos përdor telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit” në organizim partneriteti me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Falultetin e Sigurisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas tij, çdo risi tekniko-teknologjike në veten e saj përmban dilema të rëndësishme të cilat kërkojnë rregulla adekuate të adaptimit, posaçërisht nëse eksperiencat praktike tregojnë probleme konkrete gjatë shfrytëzimit të tyre.
Ai theksoi se duke e ditur për këtë rrezik më shumë vjet të gjitha institucionet relevante nga fusha e trafikut jo vetëm se nga ana ligjore e normuan si sjellje të dënueshme përdorimin e telefonave celularë gjatë ngasjes së automjetit, por në mënyrë aktive u përfshin në veprimin parandalues dhe së bashku punuan në ngritjen e vetëdijes publike, se përdorimi i telefonave celularë nuk e ka vendin në trafik, pa dallim se a bëhet fjalë për ngasje e automjetit, kalimit nëpër rrugë ose përdorimin e biçikletës për rekreacion, gjatë kësaj duke mos e përjashtuar asnjë pjesëmarrës në trafik.
“Kundërvajtja në trafik ‘bisedë në telefon celular’ në periudhën e fundit shënon rritje, kështu në vitin 2021 janë proceduar 1.617 kundërvajtje të këtilla, këtë vit, nga fillimi i vitit deri në fund të muajit shtator janë sanksionuar 2.128 shoferë për përdorimin e telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit. Siç theksova më herët, rritja e numrit është rezultat i rritjes rapide të aktivitetit të policisë në sanksionimin e mosrespektimit të rregullave dhe rregulloreve në trafik”, i prezantoi statistikat zyrtare nga aspekti i punës policore, ministri Spasovski.
Kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), Gordana Kozhuvarovska potencoi se sipas hulumtimeve të KRSKRR-së në nivel botëror 45 për qind e shoferëve përdorin telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit, kurse në Republikën e Maqedonisë së Veriut kjo përqindje është 60 për qind.
“Përdorimi i telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit paraqet rrezik, poashtu është në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor. Nuk ekziston bisedë në telefon celular rëndësia e të cilës mund të krahasohet me arritjen në destinacionin e dëshiruar në mënyrë të sigurt dhe me shëndet të mirë”, sublimoi Kozhuvarovska.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski tha se telefonat celularë në kombinim me ngasjen e automjeteve mund të jenë vegla vdekjeprurëse.
“Për ty ose për pjesëmarrësin tjetër në trafik. Ndalu, mendo, mos shpejto, ki kujdes! Rreziku gjendet pas çdo këndi! Kur nget automjetin, lëri për më vonë të gjitha bisedat në telefon. Mbroje vetveten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik!”, potencoi Dujovski, duke u pajtuar me nxënësit tjerë të takimit shkencor se ngjarjet të këtilla shkencore dhe përfshirja e më shumë institucioneve të ndryshme edhe atyre profesionale por edhe atyre arsimore, përkatësisht mjediset akademike, mund në mënyrë plotësuese të kontribuojnë për kuptimin dhe zgjidhjen e fenomeneve të këtilla negative.